Organizimi i festivaleve në Kosovë tashmë është kthyer në traditë. Në Kosovë ka një numër të madh të festivaleve të cilat organizohen qoftë nga fusha e filmit, muzikës apo letërsisë. Një staf i mirë, mundëson realizimin e një festivali të suksesshëm, thonë organizatorët, duke mos lënë anash mbështetjen financiare. Për këtë të fundit ankohen organizatorët e festivaleve në Kosovë. Lista e festivaleve është e gjatë dhe ka nga fusha të ndryshme të artit. “DokuFest”, “ReMusica”, “Polip”, “Into the park”, “Skena Up”, “Anibar”, “Chopin Piano Fest”, “Dam Festival”, “Komedia Fest”, “Nine Eleven”, “Ngom Fest”, “Prishtina Jazz Festival”, “Peja Internacional Guitar Festival”, “Prifilm Fest”, janë vetëm disa nga festivalet që janë pjesë e skenës kulturore në Kosovë.
Dramaturgu dhe skenaristi Arian Krasniqi për gazetën “Zëri” tha se ka një numër të madh të festivaleve si të teatrit si të filmit, por kjo domosdoshmërisht nuk e përcakton cilësinë.
“Personalisht mendoj se shumica e festivaleve në Kosovë, kryesisht ato me karakter lokal, nuk dallohen shumë prej njëri-tjetrit thjesht mbahen sa për të mbajtur gjallë frymën e aktiviteteve kulturore”, deklaroi Krasniqi. Por në Kosovë ka edhe festivale që kanë arritur t’i rezistojnë kohës dhe kanë ofruar vit pas viti risi. “Në këtë mes duhet veçuar ‘Dokufest’-in që për mendimin tim është ngjarja kryesore kulturore vjetore në vendin tonë, pastaj ‘Nine Eleven’, ‘Skena Up’”, tha Krasniqi.
Në mungesë buxheti, “Prifest” sivjet nuk ka mbajtur edicionin e shtatë. Sipas drejtoreshës së festivalit, Vjosa Berisha, gjithmonë ka pasur pak fonde për të realizuar projektet që kanë pasur si qëllim, dhe madje këtë vit një muaj para fillimit të “PriFilm Fest” organizatorët janë informuar për shkurtimin e buxhetit. “Në vitin e fundit ‘PriFest’ pësoi një sulm kur Ministria e Kulturës i shkurtoi fondet dhe e bëri të pamundur mbajtjen e festivalit, ky trend u pasua edhe nga Ministria e Integrimeve Evropiane dhe Ministria e Punëve të Jashtme”, deklaroi Berisha, teksa tregon se organizimi i një festivali në Kosovë si “Prifilm Fest” është e vështirë të realizohet jo për shkak të vullnetit të organizatorëve dhe angazhimit të tyre, por për shkak të kushteve financiare.
“Varësia financiare e bën që një aktivitet i tillë të funksionojë sipas tekave të politikanëve dhe kushtimisht njohjes apo mosnjohjes së mjaftueshme të nevojave që ka industria e filmit në Kosovë”, deklaroi Berisha, e cila tha se edicioni i tetë do të mbahet në Prishtinë.
Ndërkaq, Hana Qena, drejtoreshë e festivalit “Skena Up”, tha për gazetën se organizimi i një festivali kërkon shumë durim e punë e sidomos kur bëhet fjalë për festivale serioze të cilat ftojnë rreth 150 mysafirë nga e gjithë bota. “Skena Up” këtë vit nuk ka mbështetjen e njëjtë si viteve të kaluara. “Festivali ‘Skena Up’ çdo vit ka pasur mbështetje nga Ministria e Kulturës, përveç këtij viti ku pothuajse është shkëputur e gjithë mbështetja, prandaj këtë vit kemi pasur mbështetje nga ambasada amerikane dhe ambasadat e tjera”, deklaroi Qena.
Ndërsa Lendita Murtezi nga festivali i letërsisë “Polip”, ka treguar se realizimi i festivalit nuk është i vështirë, kur ke një staf të mirë dhe një përkrahje financiare. Duke ditur rëndësinë e mjeteve financiare, festivali i letërsisë “Polip” financohet nga disa organizata të huaja. Festivali “Polip” financohet nga Allianz Kulturstiftung, Goethe Institute dhe Traduki, dhe nuk kemi pasur asnjëherë mbështetje nga Ministria e Kulturës apo Komuna e Prishtinës”, ka thënë Murtezi.
Organizimi i një festivali të çfarëdo kategorie nuk është i lehtë sepse kërkon përkushtim maksimal dhe të vazhdueshëm të një grupi të madh të njerëzve, thotë Aurela Kadriu nga festivali i muzikës “Into the Park”. Këtë vit mbështetjen financiare festivali “Into the Park” nuk e ka siguruar nga Ministria e Kulturës për shkak të reduktimit të fondeve për organizimin e festivaleve, prandaj këtë vit i ka siguruar fondet nga vullnetarët dhe sponsorët.
Në anën tjetër festivali më i madh në Kosovë mbetet “Dokufest”-i. Këtë vit për ta realizuar tërë festivalin ka pasur një buxhet prej 240 mijë euro. Sipas zëdhënëses për informim të “Dokufest”-it, Nita Deda, këtë shifër “Dokufest”-i e ka siguruar nga disa burime. “240 mijë euro i kemi siguruar nga fondacionet, ministritë, ambasadat, sponsorët komercialë dhe nga shitja e biletave”, ka thënë Deda, duke treguar se nga Ministria dhe nga faktorët tjerë nuk kanë pasur që në fillim mbështetje, sepse “Dokufest”-i ka nisur si një iniciativë e disa të rinjve në Prizren.



















