Qeveria dhe opozita do ta festojnë të ndarë sot marrjen e statusit të vendosur të premten edhe nga kryeministrat e 28 vendeve anëtare të Bashkimit Europian
Shumica e majtë pushtetmbajtëse prej fitores zgjedhore të 23 qershorit të 2013-ës dhe opozita e qendrës së djathtë në Shqipëri nuk bëhen bashkë në kremtimin e marrjes së statusit “kandidat” për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Qeveria dhe opozita do ta festojnë të ndarë sot marrjen e statusit të vendosur të premten edhe nga kryeministrat e 28 vendeve anëtare të Bashkimit Europian.
Sot në orën 20:00 Kryeministri Edi Rama ka lajmëruar një ceremoni festive në lulishten e Pallatit të Brigadave.
Ky lajmërim është bërë në 25 qershor, një ditë pas miratimit të statusit nga ministrat e Jashtëm të BE-së që u mblodhën në Luksemburg.
Ftesat për këtë ceremoni i janë dërguar të gjithë deputetëve, partive politike në Shqipëri, Presidentit të Republikës, Trupit Diplomatik, mediave e shoqërisë civile.
Opozita do të zhvillojë gjithashtu një festë me organizimin e Bashkisë së Tiranës që drejtohet nga Lulzim Basha, kryetar i Partisë Demokratike.
Bashkia e Tiranës njoftoi një ditë më parë se do të organizojë një koncert festiv për statusin tek Amfiteatri i Liqenit Artificial me fillim në orën 19:30, vetëm 30 përpara nisjes së ceremonisë zyrtare në Pallatin e Brigadave.
Kjo festë e bashkisë së Tiranës, pritet të përjashtojë deputetët e opozitës nga festa zyrtare që zhvillon kryeministri.
Kremtimet e veçanta nuk shmangin dasitë e forcave politike në të dy kampet, përkundër shansit që të mund të tregonin se ndihmesa për marrjen e statusit ka qenë fryt i të gjithë politikës dhe jo i qeverisë që është në pushtet.
Ende nuk dihet se në cilën nga ceremonitë tani në garë me njëra-tjetrën do të marrë pjesë Presidenti i Republikës.
Edhe pse rekomandimet e Bashkimit Europian këmbëngulin në bashkëpunimin dhe konsensusin mes maxhorancës dhe opozitës, të dy kampet politike tregojnë me ceremonitë e sotme se qëndrojnë larg standarteve që kërkon Europa.














