Arsyetimi për mosdekretimin e dy ligjeve është shkelja e kompetencave të kreut të shtetit si Komandant i Forcave të Armatosura
Presidenti Bujar Nishani prit të kthejë për votim dy ligjet e miratuara nga Kuvendi në seancën parlamentare të kësaj të premteje, atë “Për autoritetet dhe pushtetet e drejtimit dhe komandimit të Forcave të Armatosura”, si dhe ligjin për “Agjensinë e inteligjencës së mbrojtjes”.
Shqiptarja.com shkruan se burime nga presidenca konfirmojnë se kreu i shtetit nuk do t’i dekretojë këto dy ligje me argumentimin se shkelen kompetencat e Presidentit të Republikës si komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura.
Në seancën parlamentare të 26 Qershorit projektligjet “Për autoritetet dhe pushtetet e drejtimit dhe komandimit të Forcave të Armatosura”, dhe “Agjensinë e inteligjencës së mbrojtjes” u miratuan me 75 vota.
Mes deputetëve që votuan në favor të tyre ishin dhe ato të pesë përfaqësuesve të Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet të Shpëtim Idrizit, të cilët morën pjesë në seancë edhe pse opozita kishte marrë vendimin politik për të bojkotuar në shenjë “proteste” ndaj pezullimit me 10 ditë që iu bë ish-kryeministrit Berisha.













