ARBEN MANAJ
Është normale që të gjithë shqiptarët të ndihen euforikë për një arritje kaq madhore sa marrja e statusit si vend kandidat në BE.
Merita është dhe duhet të jetë kolektive dhe gjithëpërfshirëse, pasi të gjithë kanë me çfarë të mburren për marrjen më në fund, por edhe të skuqen për vonesën e këtij statusi.
Reagimi pas këtij statusi do të jetë dhe një provë e maturisë politike dhe standardit europian të vendit, nëse shqiptarët e sofistikuar dhe ata të thjeshtë, nuk do të mund të vetëpërmbahen në jermin e këtyre ditëve.
Statusi kandidat, pa mëdyshje, është hyrja zyrtare në autostradën e madhe politike, burokratike dhe zhvillimore të Shqipërisë drejt një Unioni, që ka standarde që kërkojnë këllqe për t’u arritur dhe vendosmëri dhe seriozitet për t’u përafruar me nivelin ekonomik, por edhe mentalitetin e atyre vendeve europiane, që pas shumë hezitimesh shpirtërore, na ofruan të ndajnë bujarinë dhe begatinë e tyre me ne.
Tashmë rregullat e reja të lëvizjes në këtë autostradë janë shumë ndryshe nga ato në rrugët rurale, ku ka ecur deri më tani Shqipëria. Sinjalistika, por edhe penalitetet janë më të sofistikuara në këtë rrugëtim.
Shqipëria tani zyrtarisht po merret seriozisht nga Europa, pasi është pranuar në listën e saj të rezervave në pankinë për sfidat mbijetuese që ky Union ka në përballjet me lojtarë të tjerë të fuqishëm ekonomikë dhe politikë në rajone me zhvillim mjaft të vrullshëm ekonomik, por edhe me rëndësi të rifituara dhe të rigjetura gjeopolitike në globalizimin e ditëve tona.
Statusi i vendit kandidat nuk është një shkop magjik që do të zgjidhë të gjitha hallet, sidomos ato ekonomike të Shqipërisë në zhvillim. Ai është më shumë një karotë për ta nxitur Tiranën që të shkojë relativisht sa më shpejt, drejt anëtarit me të drejta të plota në këtë klub politik mjaft kapriçioz.
Por jo gjithçka varet nga Shqipëria drejt këtij objektivi, sado profesionist të jetë ekipi negociues shqiptar dhe sado i mirë dhe i koordinuar të jetë “road map”-i shqiptar.
Detyrat e shtëpisë që do të vijnë nga Brukseli pritet të mësohen të përditësuara në ditët dhe javët në vazhdim. Por historia integruese e dekadave të fundit tregon se jo të gjitha vendet aspiruese kanë treguar të njëjtin seriozitet.
Maqedonia u bë vite që e ka marrë këtë status, e ende është larg. Hapja e negociatave është një tjetër gur kilometrik, por Shqipëria ka makina të tjera të vendosura përpara saj, dhe sado e mirëfurnizuar të jetë me karburant, ajo nuk mund të ecë në “hard shoulder” apo korsinë rezervë, për të parakaluar të tjerët, pasi nuk funksionon kështu.
Shqipëria do të duhet të mbajë shpejtësinë e saj dinjitoze në këtë rrugëtim europian.
Por jo gjithçka varet prej saj, për shkak të kompleksitetit të rrethanave praktikisht të pafavorshme politike dhe burokratike dhe faktorëve të tjerë në skenën politike europiane.
Ky kompleksitet frenues në këtë rrugëtim drejt integrimit final, ka shanse të nxisë sjellje të ngjashme, siç kemi vënë re në këto dekadat e fundit nga politika shqiptare, në vazhdën e papërgjegjshmërisë politike ndaj kësaj aspirate.
Europyetësori që pritet të përmbushë Shqipëria dhe reformat që do duhet të bëhen, për shkak të faktit se Shqipëria nuk ka urgjencë anëtarësimi për të paktën një dekadë, si dhe mungesa e një date anëtarësimi, ka gjasa që klasa politike shqiptare të vazhdojë si deri më sot, të abuzojë me fundin e fillimit të rrugës shqiptare drejt Brukselit.
Kjo sjellje mundet të jetësohet edhe për shkak të mosvëmendjes adekuate të euroelitës së Brukselit, për shkak të prioriteteve dhe sfidave që ka Unioni në kontinentin e postrecesionit.
Fakti më kokëfortë i realitetit të sotëm europian është se zgjerimi i ardhshëm i BE-së do të jetë “en block”, për ata që kanë mbetur të paintegruar ende formalisht.
Vendet e Ballkanit me statuse kandidati, ose në pritje të tij, për arsye gjeopolitike të mirëkuptuara dhe miridentifikuara, qoftë edhe për shkak të përvojës, jo shumë të largët në kohë, siç ishte rasti i konfliktit mes Sllovenisë dhe Kroacisë, për filozofinë dhe praktikalitetin diplomatik të vendimmarrësve të fuqishëm europian, nuk do të kenë shansin t’i vënë veton njëri-tjetrit.
Kjo nënkupton se të gjitha këto vende janë në të njëjtën anije dhe avancimi i tyre do të jetë i kushtëzuar nga avancimi apo edhe mosavancimi i tjetrit me tempin e duhur dhe adoptimi sa më shpejt dhe në mënyrë të pakthyeshme i mentaliteteve respektive kombëtare në mentalitete sa më bashkëkohore europiane.
Pa harruar, edhe riformatimin e ri në formacionet politike në instancat europiane pas populizmit euroskeptik të vënë re së fundmi, rruga e Shqipërisë do të jetë jo vetëm e gjatë, por pa pikën e dyshimit, edhe më i vështirë dhe me më shumë steka të ngritura, sesa ato vende që janë anëtarësuar dekadën e kaluar.
Ky status nuk do të jetë shkopi magjik ekonomik i Shqipërisë dhe çdo insinuatë e kundërt se mund të jetë i tillë në një plan afatshkurtër apo afatmesëm, do të jetë një tjetër shenjë fatkeqe pamaturie politike.
Statusi kandidat do të ketë përfitime modeste financiare, pasi ato më të qenësishmet do të mund të jepen, siç tregon praktika e anëtarësimit, vetëm me aderimin e plotë të Shqipërisë në BE, në një rrugëtim, që nuk pritet realisht të bëhet në një terren të asfaltuar, sesa t’i përngjajë më shumë një “rally” me shumë të panjohura.














