Filmi “Vera e ëndërron detin”, me skenar të Doruntina Bashës dhe regji të Kaltrina Krasniqit, e ka fituar çmimin e parë në programin për skenar nga Evropa Qendrore, Midpoint, si “Projekti më i mirë i filmit të gjatë”.
Çmimi përfshin një shumë monetare që ka për qëllim zhvillimin e mëtejshëm të projektit.
Të premten, më 29 gusht 2014, projekti u prezantua nga producentja e regjisorja Kaltrina Krasniqi dhe skenaristja Doruntina Basha, para panelit ndërkombëtar prej 14 anëtarëve, në Pragë, në Republikën Çeke, njofton Qendra Kinematografike e Kosovës.
“Vera e ëndërron detin” u vlerësua si më i miri nga paneli vlerësues, i përbërë nga përfaqësues të industrisë së filmit në Evropë e Amerikë: Berlinale Talents, HBO Europe, Sundance Director’s Lab, Mediterranean Film Institute, EAVE, e të tjerë.
Projekti është në fazën e zhvillimit të skenarit dhe preproduksioni planifikohet të nisë në vitin 2015.
“Skenari është rrëfim bashkëkohor kosovar, që eksploron marrëdhëniet shtypëse ndër-njerëzore”, citohet të ketë thënë skenaristja Doruntina Basha.
Regjisorja dhe producentja Kaltrina Krasniqi ka thënë se ky çmim është jashtëzakonisht i rëndësishëm për projektin. sepse i hap rrugë për bashkëpunim ndërkombëtar dhe e konfirmon potencialin e projektit”.
Pjesëmarrja në Midpoint është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.