Nga Petrit Kuçana
Alo policia britanike? Kërkoj ndihmën tuaj. Jam një qytetar britanik dhe autoritetet malazeze nuk më lënë që të kaloj, pasi sipas tyre duhet të jem i siguruar, por duke qenë se zyrat ku mund të prehet siguracioni janë të mbyllura, autoritetet më kanë urdhëruar që të pres deri në mëngjes.
Kështu kishte nisur biseda telefonike mes një shqiptaro-britaniku dhe autoriteteve britanike rreth orëve të vona të natës, diku mes kufirit kroato-malazez, që ishte pasuar me një “ju lutem prisni dhe do ju kontaktojmë shumë shpejt”.
Pas vetëm pak minutash zëri i autoriteteve britanike i kishin thënë atij se mund të shkojë dhe të kalojë. E ndërsa niset përsëri drejt doganës një polic malazez, (i njëjti i para disa minutave që nuk e kishte lënë të kalonte) po i afrohej tepër përzemërsisht, duke e sugjeruar që të ketë kujdes rrugës dhe nëse ishte e mundur në dalje të blinte edhe siguracionin.
“Për herë të parë e ndjeva kuptimin e fjalës shtet”, na thoshte telefonuesi duke na u lutur që të shkruanim diçka në gazetë, si shenjë falënderimi për shtetin britanik.” Më vinte të përqafoja çdo polic britanik”-thoshte mërgitmari shqiptaro-britanik, që nuk nguronte të përshkruante trajtimin “mizerje” që u bëhej emigrantëve në mëmëdhe…
Kërkesa për një shkrim e këtij mërgimtari vinte në një kohë, kur thuajse në të gjithë mediat britanike, emigrantët shqiptarë ishin kthyer në kryefjalë të ditës. Me zë dhe me figurë, emigrantët shqiptarë të “stacionuar” në bregun francez, tregonin se kishin muaj aty dhe destinacioni ishte Britania, që provonin çdo natë… E natyrisht fotot e tyre vërshonin në mediat britanike… (duke plotësuar edhe një argument për Brexit-in).
Do të bëjmë shtet, ishte thirrja (kushtrimi) rilindas, por ky shtet nuk u duk askund, ne dimensionin social fatkeqësisht duke “prodhuar” (sipas statistikave zyrtare) mbi 100 mijë emigrantë të rinj. Pyetja shumë miqësore e britanikëve se çfarë po ndodh në Shqipëri që ka kaq shumë refugjatë, sidomos nën moshën 18-vjeçare, vazhdon të mbetet pa përgjigje.
Në Francë ishte kryeministri, shumë ministra dhe deputetë por asnjëri prej tyre nuk shkoi tek “shqiptarët e bregut” dhe detyrimi kushtetues i shtetit ndaj qytetarëve të tij, përthyhet nën dritën e politikës ditore, ku batutat nuk kanë fund.
A mund të perceptojë dikush nga ata që kanë marrë përgjegjësinë për të qenë përfaqësues apo vendimmarrës se si është e mundur që familjet të tëra shqiptare i nisin fëmijët në emigracion që në moshën 13 vjeçare?
Natyrisht që jo. Kurrsesi. Pasi fëmijët e tyre ata i kanë në kolegjet dhe universitetet më të mira britanike dhe më e lehtë është t’i gjesh ata që nuk i kanë patur apo nuk i kanë fëmijët në shkollat britanike, sesa ata që i kanë dhe mburren me këtë fakt. E kush e bën një bilanc sado të thjeshtë e kupton fare mirë …
Po sa është numri i refugjatëve shqiptarë në Londër? “Shteti” (o burra të bëjmë shtet) nuk e di e fatkeqësisht as nuk do t’ia dijë, madje madje nëse kujtojmë fjalët e Ministrit të Brendshëm Sajmir Tahiri ai nënshkroi marrëveshje për kthimin e të gjithë emigrantëve të rinj, qoftë edhe duke përshpejtuar procedurat gjyqësore, (kërkesë kjo që nuk ka guxuar të bëhet as nga ultrasit e UKIP-it.) pasi po shërbejnë si nxitje për të tjerët. Qeveritarë e zyrtarë vijnë e ikin në Londër dhe askush nuk e vë ujin në zjarr për këta emigrantë, që vazhdojnë të mbeten jetimët e mëdhenj që tashmë janë ënjtur edhe me premtimin se një ditë do të kenë të drejtën e votës…
E nëse shteti vazhdon tek ambasada shqiptare në Londër, mbase ky është argumenti më i mirë i të bërit shtet, pasi që nga tetori i vitit të kaluar nuk jemi të përfaqësuar me ambasador dhe prej më shumë se dy muajsh është bërë një dekretim nga Presidenti për ambasador, por duket se shtetit i ka humbur rruga qysh në oborrin e Ministrisë së Jashtme.
Thua do të ishte shumë e pavend pyetja se a turpërohet kush nga kjo gjendje?














