SHBA-ja dhe talebanët arrijnë marrëveshje për përfundimin e luftës në Afganistan. Amerikanët dhe talebanët firmosën një marrëveshje ditën e sotme në Doha të Katarit, ku i japin fund luftës 18 vjeçare. Në bazë të saj, SHBA-ja do të tërheqë të gjitha trupat brenda 14 muajve, nëse talibanët realizojnë zotimet e tyre, sipas marrëveshjes së arritur të shtunën.
Njoftimi për tërheqjen e trupave, u zyrtarizua përmes një deklarate të përbashkët SHBA-Afganistan, në Kabul.
Por bisedimet mes qeverisë në Afganistan dhe talebanëve do të vazhdojnë.
Marrëveshja u firmos mes të dërguarit special të SHBA-së, Zalmay Khalilzad dhe shefit politik të talebanëve, Mullah Abdul Ghani Baradar. Sekretari i shtetit të SHBA-së, Mike Pompeo, ishte i pranishëm për të ndjekur ceremoninë.
“Koalicioni do të përfundojë tërheqjen e forcave nga Afganistani brenda 14 muajve pas shpalljes së kësaj deklarate të përbashkët”, thuhet tutje në njoftim.
SHBA-ja dërgoi trupat në Afganistan, disa javë pas sulmeve të shtatorit 2001 nga grupi al-Kaeda në New-York.
Më shumë se 2.400 ushtarë amerikanë janë vrarë gjatë konfliktit në Afganistan.




















