Lazim Destani
I ndodhur mes aktiviteteve të biznesit dhe atyre familjare private, gjithsesi isha pjesë e asaj tërësie rrethanash, ngjarjesh e perceptimesh që e mbërthyen vitin që po e lëmë pas. Nëse sferat e angazhimit të një njeriu përcaktohen në bazë të përkushtimit dhe dedikimit, atëherë tek unë kishte një kombinim elementesh private e publike që e rrumbullakojnë vitin përplot me ngrohtësi në relacion me më të afërmit dhe të ngjeshur me aktivitete dinamike pune.
Sa u takon zhvillimeve të përgjithshme në planin ekonomik, shoqëror e politik, viti që po e lëmë pas ishte me vështirësi e sfida të shumta për trojet tona dhe sidomos për Kosovën. Polarizimet dhe ngërçet në skenën politike, ecuria e ngadaltë e reformave ishin faktorë që ndikuan në mënyrë të drejtpërdrejtë në ngecjen e zhvillimeve të përgjithshme dhe sidomos në zhvillimin ekonomik të vendit.
Ditët e fundvitit shënojnë edhe përmbyllje bilancesh që zakonisht e karakterizojnë ndërrimin e moteve me reflektime dhe planifikime të reja. Kur e kaluara është pozitive duhet tentuar të përsëritet me përmasa rritëse, por kur s’është e tillë mjafton të na shërbejë si një storie mësimi për ta planifikuar e ndërtuar të ardhmen. Ndër ngjarjet negative që nuk duhet të na përsëriten është edhe largimi i të rinjve nga trojet tona, duke nënvizuar me këtë rast varganin e ikjes së të rinjve kosovarë, të cilët nga pamundësia për ta siguruar ekzistencën e tyre këtu po kërkojnë zgjidhje gjetiu. Këto janë skena të dhembshme që e prekin gjithsecilin prej nesh, janë skena që japin alarmin për të mos fjetur rehat. Është momenti për ta sjellë ndërmend se liria e Kosovës ka pasur një çmim të lartë dhe është mëkat që akoma nuk po i gëzojmë vlerat e lirisë. Ishin të kuptueshme hallet e gjithë atyre që dekada më parë detyroheshin të marrin rrugën e mërgimit. Por sot, në Kosovën e lirë e të pavarur, një dukuri e këtillë është e pakuptimtë, e pajustifikueshme dhe e patolerueshme. Unë besoj në vullnetin dhe pjekurinë e klasës politike kosovare dhe shpresoj që institucionet përkatëse qeveritare do të angazhohen me përkushtim në krijimin dhe zbatimin e politikave lehtësuese për t’i hapur rrugë zhvillimit ekonomik të vendit. Populli i shikon me sy kritik dhe di t’i vlerësojë këto, pra në qoftë se do të ofroheshin kushte për jetesë mesatare e me dinjitet, rinia nuk do t’ua mësynte rrugëve të botës.
Sot bota shqiptare ka qindra e mijëra talentë të shpërndarë nëpër botë. Ka ardhur koha që këta të bashkohen në një platformë të madhe dhe të aktivizohen sipas profileve dhe përgatitjeve profesionale. Një ndërmarrje e këtillë kolosale pritet të jetë në qendër të vëmendjes së Unionit Global të Bizneseve Shqiptare në Botë. Me strukturat e shkëlqyera të këtij rrjeti dhe me përkrahje institucionale nga Drejtoria për Investime në Ministrinë e Diasporës, jemi përplot vullnet dhe shpresë për një veprim ndryshe në lidhje me këtë potencial. Ky rrjet i strukturuar nuk njeh kufij mes trojeve tona dhe një zhvillim ekonomik i përbashkët e gjithëpërfshirës na çon në rrugën që e duam të gjithë, në ngritjen e cilësisë së jetesës e të mirëqenies në përgjithësi.
Gjithashtu në të ardhmen nuk duhet të na përsëritet lënia në margjina e resurseve vendore, qofshin ato natyrore apo njerëzore. Vetëm një strategji që do t’i kombinonte këto resurse, është garancia më e mirë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, për hapje të vendeve të reja të punës dhe për reduktimin maksimal të shkallës së varfërisë, qoftë në Kosovë, qoftë në Maqedoni apo në rajon. Nëse Kosova dhe Maqedonia para dy-tre dekadash gëzonin njëfarë statusi të vendeve me industri të konsoliduar, kjo nuk na justifikon që të sillemi të papërgjegjshëm ndaj kësaj tradite e cila mund të rivendoset sërish, nëse hartohen politika që zhvillimin ekonomik e kanë prioritet dhe që janë të liruara plotësisht nga maniret klienteliste. Dëshiroj dhe uroj gjithashtu që liderët politikë në trojet tona t’i kanalizojnë në mënyrë konstruktive energjitë e tyre e jo duke u marrë me njëri-tjetrin.
Ne nuk kemi kohë për të humbur. Fundja, si do ta shijojë Kosovën e lirë gjenerata që u sakrifikua për të. Ata që sakrifikuan për lirinë e vendit dhe lumturinë e popullit duhet ta shijojnë zhvillimin ekonomik. Kosova, krahas pasurive natyrore si thëngjilli, ari, argjendi, zinku e nikeli, e ka potencialin më të shtrenjtë, rininë dinamike dhe shumë vitale në të gjitha aspektet. Pasuria natyrore e pashfrytëzuar nuk “avullohet”, por ditët e humbura të rinisë sonë nuk kthehen më dhe çdonjëri në fushën e tij duhet ta japë maksimumin për zhvillimin e gjithmbarshëm të vendit.
Qoftë i mbarë viti 2015!
















