Mero Baze
Isa Mustafa mund të ishte një kryeministër normal i Kosovës. Edhe Hashim Thaçi e ka provuar veten si të tillë. Por rasti i bashkëqeverisjes së tyre, nuk është më aritmetikë. Të dy bashkë ata nuk ja dalin dot të bëjnë një qeveri të bashkuar, por një kabinet me dy qeveri të vogla brenda tij. Dhe ka disa arsye përse Qeveria mund të mos ia dalë politikisht, moralisht dhe ndoshta dhe nga ana funksionale.
Prioritetet politike të Thaçit dhe Mustafës ishin të ndryshme pasi njëri kërkonte ndryshimin dhe tjetri vazhdimësinë dhe nga kjo martesë fiton stanjacioni. Beteja kryesore e Mustafës ajo kundër korrupsionit dhe monopoleve në ekonomi është një betejë e humbur, pasi është njësoj sikur të kërkosh të presë degën e pemës ku ka hipur.
Identiteti politik i tij si një parti që ka vuajtur eliminimet fizike për arsye politike u rrëzuan qyshkur se parti e tij u detyrua të votojë kryetar të Kuvendit, dikë që së paku ata e kishin në mendje, si njeriun, që minimumi ka dijeni për vrasjet politike në Kosovë.
Nga pikëpamja morale Qeveria u formua pas një kalvari gjashtëmujor të bllokimit të krijimit të institucioneve, dhe krizës iu dha fund, pas një përçarje amorale të bllokut opozitar, pikërisht prej LDK-së. Hashim Thaçi nuk tradhtoi as partinë e vet, as mbështetësit dhe as ndonjë subjekt tjetër politik. Ai qëndroi stoik në pozicionin e vet derisa prodhoi një amoralitet në opozitë dhe e përdori atë, për të formuar një shumicë. Isa Mustafa i cili doli nga zgjedhjet i humbur, tani qeveris Kosovën, dhe kjo falë mungesës së moralit.
Por Qeveria do të ketë dhe problemet funksionale të saj. Ajo rrezikon të kthehet në dy qeveri, të cilat do të qeverisin Kosovën secila për hesap të vet. Ministritë dhe institucionet që janë nën kontrollin e PDK-së do të veprojnë si PDK-ja, dhe do të injorojnë kryeministrin. Ata do t’i marrin urdhrat nga Thaçi, do të punësojnë ose mbajnë në punë njerëzit e tij dhe do të jenë vetëm formalisht në një tryezë. Po ashtu ministrat e LDK-së do të qeverisin si një miniqeveri e LDK-së me ministrat e vet dhe politikat e veta. Pas pak muajsh Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi do të duhet të takohen më shpesh me njëri-tjetrit, thjesht për të ndalur luftën mes PDK-së dhe LDK-së në qeverisje, dhe jo për ndonjë vizion të ri për Kosovën. Kjo betejë e brendshme e pritshme, e cila do të dërmojë qeverisjen reale të vendit, është tipike për koalicionet e stisura për shkak të shifrave në Kuvend.
Kjo luftë e brendshme do të jetë negative për çdo nismë antikorrupsion, apo çdo betejë që kërkon një qeveri kompakte. Mustafa dhe Thaçi do të duhet të mbajnë ekuilibër në çdo veprim, të ruajnë secili palën e tjetrit dhe si përfundim LDK-ja do të kthehet në një gardiane të PDK-së dhe Hashim Thaçit. Isa Mustafa do të jetë kryeministri më formal i Kosovës, dhe pa asnjë peshë në pushtet, pasi kjo është praktikisht një “Qeveri Mustafa nën udhëheqjen e Thaçit”.
Këtë do ta forcojë akoma më shumë fakti, që Thaçi ka mbajtur për vete postin e ministrit të Jashtëm, që nënkupton vazhdimin e negociatave me Serbinë dhe betejën për njohjen ndërkombëtare, që janë i vetmi element përfaqësues i Kosovës në botë dhe i vetmi objektiv konsensual i Qeverisë. Gjithë politikat e tjera të Qeverisë janë parciale, përveç politikës së jashtme dhe njohjes ndërkombëtare.
Në rrethanat që u formua qeveria, dhe në pazarin e ndarjes së atij pushteti, Isa Mustafa, ka më pak pushtet se sa ka pasur në Komunën e Prishtinës, ku së paku nëse dëshironte mund ta hiqte dikë nga puna. Sot ai nuk e ka këtë privilegj dhe as ka shans të diktojë ndonjë ide të tij në qeverisjen e Kosovës. Po të ndodhte kjo, nuk është se do të ishte shpëtim për Kosovën, por kështu si po ndodh, kjo qeveri ka shpëtuar vetëm Isa Mustafën nga shkarkimi prej LDK-së dhe Hashim Thaçin për të mos ikur nga pushteti. Është një qeveri për hallet e veta, jo për hallet e Kosovës.
















