Serbia ka paralajmëruar një takim tjetër urgjent me Kosovën në Bruksel.
Takimi është paralajmëruar pas vendimit të Qeverisë së Kosovës që nga dita e sotme (e hënë, 18 prill), të mos lejohen hyrje/daljet në Kosovë të personave që posedojnë leje ilegale të njoftimit, të lëshuara nga strukturat paralele të Serbisë në Kosovë.
Vetë kryeministri serb, Aleksandër Vuçiq ka thënë se për këtë çështje do të diskutohen në Bruksel.
“Ne do ta zgjidhim këtë çështje. Do të ketë një takim sa më shpejt, të hënën ose të martën, në Bruksel. Ne jemi duke punuar për të mos penguar lëvizjen e lirë të qytetarëve”, citohet Vuçiq nga Televizioni “Tribuna”.
Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë vlerëson se Prishtina, me vendimin për mosnjohjen e letërnjoftimeve të lëshuara nga strukturat paralele të Serbisë në Kosovë, ka për qëllim të pengojë procesin e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.
Sipas komunikatës së kësaj zyre, Serbia ka marrë garanci nga Bashkimi Evropian për qarkullimin e lirë midis Kosovës e Serbisë.
Por, në Qeverinë e Kosovës thonë se janë marrë vesh për marrjen e kësaj mase. Këtë e ka thënë ministrja për Dialog, Edita Tahiri.
Vendimi për ndalimin e qarkullimit në Kosovë me letërnjoftimet ilegale serbe ishte marrë edhe në dhjetor të vitit të kaluar, por ky vendim nuk ishte suspenduar me kërkesë të Bashkimit Ecvropian, me qëllim që ky problem të zgjidhjet me dialog.















