Por, atëherë student, doktori Morina kishte gjetur një autobus që do ta çonte nga Sarajeva për në Beograd. Rrugëtimi i tij u ndërpre në gjysmë me autobusin që ishte nisur.
“Një polic më mori dokumentet dhe më nxori nga autobusi. Isha i vetmi që u ndava. Bashkë me të ishte edhe një person tjetër me një kallashnikov në dorë, por me rroba civile”, rrëfen për “Zërin” doktor Morina, një pjesë të përjetimit nga lufta në Bosnjë, kur ishte në rrezik për jetën e tij.
Për një kohë të gjatë ai ishte verifikuar nga policia dhe ndonëse disa herë kishte parë vdekjen me sy, një epror i ish-ushtrisë së Serbisë e kishte liruar.
Përmes një autobusi tjetër kishte vazhduar rrugëtimin e tij, sado që rrëfimi për atë që kishte parë “vdekjen me sy” është i gjatë po aq sa rrugëtimi i tij gjer në shtëpi.
Doktori Morina kishte kryer më vonë fakultetin. Ai tash e disa vite punon si anesteziolog në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.






















