Këto të dhëna janë paraqitur sot në prezantimin kërkimor të Qendrës së Beogradit për Politikat e sigurisë (BCBP), shkruan Novosti.
Më tutje Novosti vazhdon me prezantimin e të dhënave të tjera.
Çdo i katërti qytetar beson se Kosova do të jetë e pavarur, çdo i pesti mendon se do të mbetet pjesë e Serbisë, me të njëjtën përqindje konsiderohet se do të jetë e ndarë mes Shqipërisë dhe Serbisë, ndërsa pothuajse çdo i dhjeti beson se do të bashkohet me Shqipërinë, ndërsa më pak se një e treta thotë se nuk e di.
Anketa tregon se shumica dërrmuese e qytetarëve në Serbi nuk kanë asnjë lidhje personale me Kosovën – 78 përqind nuk kanë të afërm dhe miq në Kosovë, 80 për qind gjatë vitit të kaluar nuk është takuar apo nuk ka biseduar me një person të nacionalitetit shqiptar, ndërsa 65 për qind nuk kanë qenë në Kosovë, me ç’rast pas vitit 1999 në Kosovë kanë shkuar vetëm shtatë për qind e të anketuarve.
Kur bëhet fjalë për një zgjidhje të pranueshme për Kosovën, pothuajse një e treta e qytetarëve besojnë se çdo marrëveshje për Kosovën është në rregull nëse nuk ka njohje formale të Kosovës (31 përqind), ndërsa një përqindje e ngjashme (30 për qind) besojnë se është mirë çdo marrëveshje e cila siguron mbrojtjen e serbëve. Çdo i dhjeti e mbështetë ndarjen e Kosovës (11 përqind), çdo i 12-ti e mbështetë pavarësinë në qoftë se çon në stabilitet dhe zhvillimin e Serbisë (tetë për qind).
Tri të katërtat e popullsisë mbështesin dialogun me Prishtinën, ndërsa vetëm nëntë për qind janë për ndërprerje, edhe pse njerëzit mendojnë se shqiptarët e përfitojnë më së shumti nga dialogu, ndërkohë që BCBP vë në dukje se hulumtimi tregon që shqiptarët e Kosovës besojnë se serbët kanë më shumë përfitime.
Tri të katërtat e popullsisë nuk e konsideron të justifikueshme hyrjen në konflikt të armatosur me pjesën tjetër të Kosovës për të mbetur në kuadër të Serbisë, çdo i 10-ti e justifikon, ndërsa 14 për qind nuk kanë mendim për këtë çështje.
Sondazhi u zhvillua nga 26 dhjetor 2016 deri më 14 janar 2017 në një mostër përfaqësuese të 1.403 qytetarëve të rritur.






















