Teksa po meditoja t’i skicoja disa ide modeste për vizitën e Papa Françeskut në Shqipëri, s’mund të shkëputesha nga imazhi i parë që më erdhi në mendje: imagjinoja Papa Piu-n II tek përgatitej të nisej nga Ankona për në Arbëri, ku duhej ta priste mbreti i ardhshëm i shqiptarëve dhe ndoshta i Europës, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Princi ynë i fisëm, gurthemel i identitetit tonë kombëtar, s’pati fatin ta realizonte planin e Papatit dhe kështu Shqipëria u plandos në një robëri të gjatë.
Vizita e Papa Piu II, (i zgjedhur Papë më 1458), u ndërpre mu në Ankona, më 15 gusht 1464, teksa priste me anijen e tij të çante dallgët e Adriatikut dhe të zbriste në tokat arbërore, për ta kurorëzuar heroin tonë dhe të Europës, Gjergj Kastriotin- Skënderbeun, mbret. Të dhënat e shumta historiografike dëshmojnë se Arbëria e Gjergj Kastriotit, për Papa Piu-n II, humanistin e madh, shihej si vendi prej ku duhej të ngjizej ideja e një kryqëzate për çlirimin e Europës nga Turqia. Dhe kjo betejë s’kishte kujt tjetër t’iu besohej, pos heroit tonë, Skënderbeut, që ishte bërë diga titanike që mbronte Europën nga osmanët.
Papa nuk erdhi në Shqipëri. Ai vdiq. Heroi ynë nuk u shpall mbret. Kryqëzata nuk u realizua. Shqipëria ra nën thundrën e egër të një pushtimi shkatërrues, në fund të të cilit pushtim, ajo do të dalë në vete, me plagë të rënda shpirtërore, ekonomike, juridike e kulturore. Ndonëse heroi ynë s’e priti Papën, aleanca mes Vatikanit dhe popullit shqiptar s’pushoi asnjëherë. Të shtypur e me plagë të rënda nga robëria e gjatë, shqiptarët asnjëherë s’u shkëputën shpirtërisht nga Selia e Shenjtë, ku kërkuan dhe gjetën ngrohtësi, miqësi, solidaritet dhe mbështetjen konstante. Papa Gjon Pali II, gjatë vizitës së tij historike në Shqipëri më 25 prill 1993, do ta konfirmojë mbështetjen, përkrahjen, respektin për kishën shqiptare dhe për kombin shqiptar.
Vizita e një pape në Shqipëri, për pesë shekuj ishte diçka që hynte në domenin e së paimagjinueshmes. Megjithatë, duke u bazuar në të dhëna të shumta historike, religjioze e kulturore, mund të pohohet: kurrë s’mungoi prania e Selisë së Shenjtë dhe ndihma e saj për kombin shqiptar, duke u bërë një pararojë e interesave kombëtare, sidomos përgjatë këtyre shekujve të zymtë, kur populli shqiptar ishte, siç thoshte Pjetër Bogdani: “në robëni të errët, i verbum me dy palë mjegulla të zeza mbi faqe, që janë mëkati e mosdija, sepse u dvar dija e urtia.”
Papa Gjon Pali II, këto raporte do t’i ndërlidhte me figurën madhore të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, i njohur ndryshe si “Athleta Christi.” Gjatë vizitës së tij në Shqipëri (25 prill 1993), ai do ta përkujtojë forcën me të cilën shqiptarët mbrojtën identitetin e Europës, kur tha për Skënderbeun: “i respektuar nga Papët e Romës dhe përjetësisht i gjallë në kujtimin e popullit shqiptar.”
Në dekadën e dytë të shekullit XXI, kur po bëhen përçapjet e fundit drejt fitimit të lirisë së ndërgjegjes, shqiptarët dëgjuan një lajm të shumëpritur, atë që dikur e kishin të paimagjinuar: ardhjen e Papës së dytë në Shqipëri.
Vatikani dhe shqiptarët
Sa herë përmendim Vatikanin, Papën, Selinë e Shenjtë, s’ka sesi të mos na rikthehet në vëmendje aleanca e heroit tonë kombëtar, me këtë vend të vogël, por të rëndësishëm në hierarkinë e vlerave botërore. E një periudhë tjetër, kur këto marrëdhënie do të njohin një shkëlqim të ri, është ajo e presidentit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe marrëdhënieve të tij të veçanta me Selinë e Shenjtë, e sidomos me Papa Gjon Palin II.
Si për ironi, u deshën afërsisht pesë shekuj që të realizohej një vizitë e Papës në tokat arbërore, ndonëse në Selinë e Shën Pjetrit pati edhe papë me origjinë shqiptare. E nga më të famshmit mbetet Papa Albani, kontributi i të cilit, për historinë, kulturën dhe identitetin shqiptar, është i padiskutueshëm. Të dhënat e shumta flasin për impenjimin e Papa Albanit në favor të çështjes shqiptare. Kontribut i tij njihet sidomos me Kuvendin e Arbrit (1703), ngjarje kjo që bëri kthesë me rëndësi të posaçme politike, fetare e kulturore në historinë kombëtare. Ky Kuvend shqyrtoi gjendjen shpirtërore dhe shoqërore të besimtarëve, duke synuar të vërë në jetë në Shqipëri porositë e Vatikanit për t’i bërë ballë rrezikut nga islamizmi. Ndër vendimet e marra në këtë Kuvend ishin edhe kërkesat për hapjen e shkollave dhe botimin e librave në gjuhën shqipe. Papa Albani themeloi po ashtu dy seminare papnore në shek XVIII, në Kalabri dhe në Sicili, seminare këto që i paraprinë Rilindjes Kombëtare, me në krye Jeronim De Radën, 200-vjetori i lindjes së të cilit është sivjet.
Po ashtu, sa herë përsiasim për Papatin, s’ka sesi mos të na rikthehen imazhet e së kaluarës sonë, ku kemi copëza të shumta që përbëjnë një mozaik të jashtëzakonshëm. Janë arbëreshët që u shpërngulën në Itali, ata që u pritën dhe përkrahen me ngrohtësi nga Selia e Shenjtë, me ndihmën e së cilës u promovua gjuha dhe kultura e tyre në Itali. Pastaj janë figurat inicuese të kulturës shqiptare ata emra titanësh, që nën influencën e Vatikanit do t’ i japin kulturës shqiptare shenjat e para identitare. Pal Engjëlli shkroi Formulën e Pagëzimit, me të cilën pagëzoi kulturën shqiptare. Gjon Buzuku shkroi librin e parë shqip dhe shënoi përpjekjen për të ngritur shandanin e dritës në atë errësirë të thellë të injorancës që kishte goditur tokat arbërore. Pjetër Budi do ta vazhdonte këtë betejë, me dije e kulturë, duke skalitur vargje e duke shkruar doktrinën e krishterë, që të ruajë identitetin burimor Arbnor. Ndërsa titani Pjetër Bogdani, me Çetën e profetëve dhe një thes libra në krah, i persekutuar, i ndjekur dhe burgosur, s’prajti së përhapuri kulturën, dijen dhe qytetërimin, përballë errësirës që kishte plandos atdheun e tij.
E mu në kohën kur përtej detit lulëzonte dija, kultura, artet, në Shqipëri mbretëronte errësira: pa shkolla, pa tempuj bukurie, pa biblioteka, pa liri besimi dhe pa shkolla. Kjo ishte gjendja e zymtë, përballë së cilës kleri katolik shqiptar, me ndihmën e Selisë së Shenjtë, asnjëherë s’do të dorëzohej. Nëpër këta shekuj të errët, nëpërmjet këtij kleri dhe kishës, Selia e Shenjtë u përpoq ta mbante të gjallë ndër shqiptarë identitetin e tyre autokton. Këtë e bëri duke e mbështetur klerin vendës në botime dhe shkolla. Mirëpo kjo s’është e tëra.
Mëvetësia e Shqipërisë dhe moscopëtimi i saj, veç pak vite pas shpalljes së pavarësisë, i dedikohet ndër të tjera kontributit të Papa Benediktit XV. Ai do të bënte që Shqipëria mos të copëtohej dhe e gjithë kjo falë angazhimit titanik që bëri Imzot Luigj Bumçi që bashkë me Mehdi Frashërin do ta takonin Papa Benediktin XV, nga i cili morën zotime konkrete se ai do të përdorte influencën e tij në favor të Shqipërisë. Papa ndërhyri pranë fuqive të mëdha, ndërsa ish presidenti i atëhershëm amerikan, Woodrow Wilson, që do t’u jepte fund synimeve greke ndaj trojeve shqiptare.
Po ashtu, s’mund të mos përmendet ndihma e Atit të Shenjtë, Gjon Palit II për rindërtimin moral të Shqipërisë, si dhe për çlirimin e Kosovës. Të dhënat e shumta tregojnë se ky Papë, me autoritetin që kishte, ndikoi që çështja e Kosovës të internacionalizohet dhe të marrë vëmendjen ndërkombëtare. Ndërhyrjet e tij në favor të Kosovës janë të panumërta. Të dhënat e shumta që flasin për këtë, janë dëshmuar në librin Selia e Shenjtë dhe kriza në Kosovë, botuar në Prizren më 2003.
Ibrahim Rugova dhe Vatikani
Kosova në fund të shekullit XX po përjetonte një kalvar të vërtetë. E Papa, Selia e Shenjtë, qëndruan pranë Kosovës, duke e ndihmuar në pikëpamje diplomatike dhe jo vetëm. Lideri i Kosovës, një burrë i fisëm dhe i iluminuar, i rrallë në politikën shqiptare, marshimin politik do ta fillonte me besimin te Selia e Shenjtë. Andaj, s’ishte fare e rastësishme, as paradoksale, që në zyrën e tij, Papa Gjon Pali II do të zinte një hapësirë të veçantë, krahas të cilit rrinte portreti i madh i ikonës shqiptare, Nënë Terezës. Për koincidencë, Rugova para se të kalonte në amshim, në cilësinë e Presidentit, takimin e fundit e pati me kardinalin Anxhelo Skola, atëbotë patriark i Venedikut, tani arqipeshkv i Milanos. Kjo mënyrë, me të cilën Rugova, për shkak të ndarjes së tij nga jeta i dha lamtumirë politikës dhe vendit të tij, është një porosi, një mesazh; pse jo, një testament për Kosovën.
Imazhi i Rugovës me Papa Gjon Palin II në sfond të zyrës së tij, u përhap shpejt kudo nëpër botë. Me këtë simbolik filozofike, ai fitoi vëmendjen ndërkombëtare. Në çdo takim me diplomatë, gazetarë, ai përshëndeste në mënyrë të veçantë Papa Gjon Palin II, i cili, siç thoshte, lutet për Kosovën. Kjo filozofi rugoviane u bë kod kulturor dhe shenjë identiteti në Kosovën rugoviane. Papa u shndërrua në simbolin e lirisë për Kosovën, ndërsa shqiptarët që përjetonin dhunë, terror e pasiguri, në fjalët e Rugovës drejtuar Papës ushqenin shpresat për liri, drejtësi e pavarësi.
Një mesazh për ta forcuar humanizmin tonë
Papa erdhi në Shqipëri për të mbështetur harmoninë, bashkëjetesën dhe tolerancën, vlera këto për të cilat shqiptarët dallohen dhe njihen kudo në botë. Papa, me vizitën e tij, në këto momente dramatike, kur shoqëria njerëzore në tërësi po rrezikon të humbë ekuilibrat e qëndrueshëm dhe kur rrymat e vdekjes po godasin me tërë forcën e egërsisë qytetërimin e humanizmit, për shqiptarët duhet të ketë një domethënie superiore. Sepse kjo s’është vetëm një përkrahje e as vizitë e thjeshtë, por një admirim që ushqen Selia e Shenjtë për ne. Andaj, kjo duhet shfrytëzuar që të nxisim idetë solidare mes nesh, për të ruajtur dhe promovuar kulturën e jetës përballë furtunës së vdekjes; për të ruajtur e kultivuar qytetërimin e dashurisë, përballë kërcënimit dhe barbarisë.
Vizita e Papa Françeskut është historike, sidomos për momentet nëpër të cilat po kalon kombi shqiptar. Në zagushinë e jetës shqiptare, kur politika nganjëherë di të ngatërrojë punët tona, kjo vizitë duhet të jetë një ilaç shërues për ne, që të tejkalojmë mentalitetin e ndarjeve dhe të kultivojmë ndjenjat e përbashkëta të identitetit të përbashkët, gjithnjë duke promovuar parimin me një gjuhë që sjell risi jete e dashuri.
Krishterimi në Shqipëri përbën në vete një histori të lavdishme. Nga gjiri i saj janë ndezur sa e sa herë flakadanët e lirisë dhe kulturës. Prandaj, s’është aspak e rastësishme që shumica e korifenjve të kulturës shqiptare nga shek XV deri në mesin e dytë të shek. XX, rezultojnë të dalin nga gjiri i kishës katolike. Kjo është vetëm një dëshmi e pjesshme, por që tregon esencialisht lidhjet shpirtërore të tokave arbërore me Vatikanin. E dëshmia ma e freskët, një kujtim për gjithë ne, ishte At Zef Pllumi, i cili, rrnoi për me dëshmu një kohë të mynxyrave dhe tmerreve çnjerëzore që përjetoi populli shqiptar dhe kisha katolike.















