Abuzimet seksuale në jetimoren e Shkodrës mund të kenë ndodhur prej vitesh. Gazetari Taulant Kopliku ka publikuar një video, në të cilën rrëfehet historia e Anës, një vajze jetime, sot 23 vjeçe, e cila është rritur në institucionin ku ka ndodhur përdhunimi i tri minoreneve, një fakt që u zbulua pak ditë më parë.
“Roja i derës më falte 1 mijë lekë. Unë e merrja, më vinte mbrapa, më prekte, më puthte, sot e di se çfarë do me thënë ajo puthje, atëherë nuk e dija.
Është një person që nuk dua t’i jap emër, ka qenë punonjës aty…Tentoi të më prekte, unë i thashë “mos më prek” dhe ma futi me grusht. Aty humba ndjenjat, kur jam zgjuar e kam parë veten në një vend me gurë…
Më lanë aty, kam pa një çift dhe më kanë ndihmuar”, thotë Ana.
“I jam drejtuar policisë, por s’mund të bëjë gjë policia, s’kam çfarë të bëj, thotë. Kërkoj vetëm një person që të më mbështesë, që më siguron, që më premton se nuk do të më ndodhë gjë prej këtyre personave, dhe jam gati të tregoj çdo gjë që ka ndodhur”, thotë vajza.
Ana thotë se ka përjetuar edhe dhunë gjatë jetesës në jetimore. “Na godisnin edhe teksa hanim bukë”, thotë ajo.
Ana thotë se dhuna dhe abuzimi i pësuar në fëmijëri kanë lënë pasoja te ajo. Ajo rrëfen se pasi filloi shkollën e mesme, u përjashtua për sjellje të dhunshme. Më pas thotë se u përfshi në prostitucion, e nxitur nga persona të tjerë.
“E kam bërë, por unë e di se si e kam bërë. Kam rrezikuar jetën disa herë. Lekët i merrte të gjitha ajo. Nuk më binte ndërmend të haja, doja vetëm cigare. Fillova edhe të pi edhe hashash. Për dy vjet e bëra atë punë. Vetëm pija hashash dhe alkool. Doja të harroja. Jam trajtuar rreth një vit te psikologia”, thotë Ana./G.S/
















