Një ngjarje e rëndë është shënuar paraditen e sotme në qendër të qytetit të Krujës. Sipas të dhënave të para, një autobus me turistë ka marrë flakë, pasi motori ka shpërthyer në ecje e sipër.
Policia dhe zjarrfikësja kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë vënë flakët nën kontroll. Sipas dëshmitarëve, nga flakët ka humbur jetën një person. Viktima dyshohet të jetë femër dhe trupi i karbonizuar i saj ndodhet ende në autobus.
Nga ngjarja mësohet se ka disa të lënduar, të cilët janë dërguar në spitalin rajonal. Mësohet se 11 persona kanë pësuar lëndime serioze dhe po transportohen drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë.
Mësohet se në autobus udhëtonin rreth 30 veta, kryesisht femra. Ata janë besimtarë të Kishës Ortodokse të Vlorës, të cilët ishin nisur për një ekskursion në Krujë. Dëshmitarët thanë se flakët kanë nisur në pjesën e poshtme të mjetit dhe kanë qenë kalimtarët ata që kanë vënë në dijeni drejtuesin e mjetit. Mjeti i djegur është një autobus i tipit “Benz” me targa AA 584 MP dhe drejtohej nga S.J., banues në Vlorë.
/ G.S. /















