I gjithë vendi sot është përfshirë nga reshjet e dendura të shiut, e në disa qytete ka edhe përmbytje të rrugëve. Nga moti i keq janë prekur më shumë Lezha, Vlorë, Shkodra, Kukësi, Tropoja dhe Tirana.
Në Lezhë, janë përmbytur disa lagje të qytetit si pasojë e reshjeve të shumta dhe dendësisë së tyre, ndërkohë në terren kanë dalë punonjësit e Bashkisë për të bërë të mundur mirëfunksionimin e kolektorëve dhe kanaleve kulluese.
Edhe në Vlorë reshjet e shiut kanë shkaktuar probleme në disa zona të vendit, ku janë përmbytur disa rrugë dhe banesa në zonën e Skelës.
Intensiteti i tyre ka qenë shumë i lartë, ndërkohë që autoritetet vendore janë duke u munduar që të stabilizojnë situatën përmes ndërhyrjes në kolektorë.
Sipas meteorologëve, reshjet do të vazhdojnë të bien gjatë gjithë ditës, por me intensitet të ndryshëm.















