Kryeparlamentari Ilir Meta u ka dërguar një letër krerëve të grupeve parlamentare, për ngritjen e komisionit të reformës zgjedhore.
Në letrën drejtuar krerëve të grupeve, sipas “Balkan Web”, Meta thekson se LSI është shprehur kundër sistemit prim elektoral, që parashikon dhënien e një numri deputetësh bonus për partinë që del e para në zgjedhje.
Nuk jepen shumë detaje në lidhje me se çfarë ju është kërkuar krerëve dhe se çfarë propozon LSI, por gjithsesi qëndrimi i kësaj force politike ka qenë se nuk duhet të bëhen ndryshime në limitet parazgjedhore.
Edhe ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani është shprehur më herët se: “Qëndrimi zyrtar i LSI-së është bërë publik nga zv/kryetari Petrit Vasili. Jemi për të plotësuar rekomandimet e OSBE/ODIHR. Sistemi zgjedhor nuk është rekomanduar nga ODIHR për t’u prekur. Sidoqoftë nuk ka ende një propozim politik, për të ndryshuar sistemin zgjedhor, ndaj dhe ne nuk kemi asnjë qëndrim për këtë çështje. Teknikisht si ekspert, mund t’u them se “Primi elektoral” na kthen në sistemin e Dushkut”.
















