Ligji i pronave, i miratuar në parlament disa ditë më parë, ka marrë aprovimin e palëve në Strasburg. Teksa Avokatja e Shtetit, Alma Hicka ka bërë një pasqyrim për ndryshimet dhe zgjidhjet që jep ligji për pronarët, ajo ka marrë mbështetjen e përfaqësuesve të Komitetit të Ministrave për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës. Në mbledhjen e djeshme u mor vendimi mbi hapat që ka marrë Shqipëria për ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Hicka, në fjalën e saj, përcolli mesazhin e Ministrit të Drejtësisë mbi zhvillimet më të fundit në kuadër të ekzekutimit të këtij grupi vendimesh, duke u ndalur në miratimin e Ligjit “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronës”, i cili u miratua nga Parlamenti i Republikës mee 5 dhjetor.
Avokatja e Shtetit bëri një pasqyrim të qartë mbi parashikimet e këtij ligji, të drejtat, detyrimet dhe garancitë që ai parashikon për pronarët, garanci të cilat janë një risì e ligjit të ri. “Ligji përcakton një metodologji të re të vlerësimit të pronës, mbi bazën e të cilës saktësohet se për efekt të ekzekutimit, të gjitha vendimet përfundimtare për kthimin dhe kompensimin e pronës, do t’i nënshtrohen vlerësimit financiar nga Agjencia e Trajtimit të Pronës”. Ndërkohë që subjekteve të shpronësuara u njihet e drejta e pronësisë dhe u kompensohen pa kufizim fizikisht, brenda pronës së njohur, pronat e paluajtshme të lira sipas përcaktimeve të këtij ligji, me përjashtim të tokës bujqësore, e cila kompensohet fizikisht deri në 100 ha. Brenda 6 muajve do të ngrihet edhe komisioni ndërinstitucional për identifikimin e pronave shtetërore që do të kalojnë në Fondin e Kompensimit.
Skema e kompensimit
Në përfundim të fjalës së Avokates së Shtetit, delegacionet përshëndetën arritjet e autoriteteve shqiptare në kuadër të zgjidhjes së këtij problemi kompleks, mirëpritën miratimin e Ligjit në Parlament dhe shprehën mbështetjen e tyre për qeverinë Shqiptare, për përfundimin e procesit të kompensimit të pronave, një proces i cili është sa kompleks po dhe aq i vështirë në zbatimin e tij.
Në përfundim të mbledhjes së Komitetit të Ministrave për të Drejtat e Njeriut, delegatët e këtij të fundit dolën me vendim mbi çështjet shqiptare, në të cilin vunë në dukje ligjin për ngritjen e skemës së kompensimit për pronën e shpronësuar gjatë regjimit komunist, i cili është një hap shumë pozitiv për t’i dhënë fund problemit të gjatë të kthimit ose kompensimit të pronës ish-pronarëve, dhe inkurajuan autoritetet të mos kursejnë asnjë përpjekje në sigurimin e infrastrukturës së nevojshme teknike dhe logjistike si dhe burimet e mjaftueshme njerëzore dhe financiare, në mënyrë që skema e kompensimit të jetë efektive, e shpejtë si dhe të respektohen të gjitha afatet ligjore dhe angazhimet.
Qeveria shqiptare e ka bërë ligjin për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave sipas rekomandimeve që i ka bërë Strasburgu dhe Gjykata e njeh këtë ligj si të drejtë dhe çështjet që ka Shqipëria atje pezullohen, ndërsa pronarët do të kompensohen sipas këtij vendimi. Ligji i miratuar nga kuvendi ka si qëllim përfundimin e procesit të trajtimit nëpërmjet njohjes dhe kompensimit të pronave të subjekteve të cilave u janë shpronësuar, shtetëzuar ose konfiskuar pronat, sipas akteve ligjore e nënligjore, vendimeve penale të gjykatave ose të marra me çdo mënyrë tjetër të padrejtë nga shteti komunist prej datës 29.11.1944 si edhe rregullimin dhe shpërblimin e drejtë të kompensimit të pronës, ekzekutimit të vendimeve përfundimtare të kompensimit, si dhe përfundimin e procesit të kompensimit, brenda afateve të përcaktuara në këtë ligj, nëpërmjet fondit të kompensimit.
Rivlerësimet
Në nenin 3 të ligjit të ri miratuar nga parlamenti në datën 5 dhjetor, sqarohet se edhe çështjet që janë në pritje për t’u shqyrtuar nga Gjykata e Strasburgut, do të trajtohen nga ligji i ri i qeverisë, sipas formulës së re të vlerësimit financiar të kompensimit të pronës. “Gjithashtu, ky ligj shtrin efektet sa i takon vlerësimit financiar, për: a) ekzekutimin e të gjitha vendimeve, të cilat nuk janë zbatuar, për njohjen e së drejtës së kompensimit, të dhëna nga organet administrative ose gjyqësore në vendin tonë; b) çështjet që janë në shqyrtim në gjykatat e të gjitha niveleve, në Gjykatën e Lartë, si edhe ne Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, sa i takon vlerësimit financiar të tyre”, thuhet në ndryshimin e ri të nenit 3. Po ashtu, në ligjin e ri qeveria synon t’u japë zgjidhje dhe banesave të ndërtuara nga shteti, dhe oborreve të tyre të cilët banuesit nuk mund t’i legalizojnë.
Zgjidhja për 10 vjet, ja mënyrat
Ligji i ri i pronave vepron për të gjitha kërkesat të cilat janë në shqyrtim në AKKP, në ditën e hyrjes në fuqi të tij, si edhe mbi të gjitha ato kërkesa, të cilat do të paraqiten brenda afateve të këtij ligji, sa i takon njohjes të së drejtës së pronës. Ndërkohë që sa i takon vlerësimit financiar, ky ligj shtrin efektet te të gjitha vendimet, të cilat nuk janë zbatuar, për njohjen e së drejtës së kompensimit, të dhëna nga organet administrative ose gjyqësore në vendin tonë si edhe te çështjet që janë në shqyrtim në gjykatat e të gjitha niveleve, në Gjykatën e Lartë, si edhe në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, sa i takon vlerësimit financiar të tyre. Metodologjia e re e caktuar në ligjin e qeverisë e cila ishte dhe pika më e debatuar, përcakton se për efekt të ekzekutimit, të gjitha vendimet përfundimtare për kthimin dhe kompensimin e pronës, do t’i nënshtrohen vlerësimit financiar nga ATP-ja, e cila pronat e njohura për kompensim do t’i vlerësojë në bazë të zërit kadastral që ka pasur në kohën e shpronësimit dhe pronat e kthyera do t’i vlerësojë duke e përcaktuar atë nga diferenca, që do të rezultojë midis vlerës së saj sipas zërit kadastral aktual dhe vlerës së kësaj prone sipas zërit kadastral në kohën e shpronësimit.
Ndërkohë që vendimet përfundimtare, që kanë të njohur vetëm të drejtën e kompensimit, mbi bazën e këtij ligji, vlerësohen financiarisht sipas zërit kadastral që ka pasur prona në kohën e shpronësimit. Në rastet kur subjektet e shpronësuara kanë përfituar me vendim kthimi dhe kompensimi, diferenca që do të rezultojë midis vlerës së saj sipas zërit kadastral aktual dhe vlerës së kësaj prone sipas zërit kadastral në kohën e shpronësimit, zbritet nga vlerësimi i pronës së njohur për kompensim, e llogaritur në bazë të zërit kadastral që ka pasur në kohën e shpronësimit. Në ligj përcaktohet gjithashtu që vlerësimi për vendimin përfundimtar që ka njohur të drejtën e kompensimit bëhet duke marrë si referim zërin kadastral sipas origjinës së pronës, që ndodhet më afër pronës që do të kompensohet, duke u bazuar në hartën e vlerës në kohën e hyrjes në fuqi të këtij ligji.
Në rast se pranë pronës që do të kompensohet gjenden disa zëra kadastralë të njëjtë me atë të origjinës së pronës, me distancë të njëjtë dhe me vlera të ndryshme, atëherë për referim në përllogaritje merret zona që ka çmimin më të lartë. Mbi bazën e rregullave të miratuara tashmë përcaktohet se kompensimi fizik dhe ai financiar për pronarët do të nisë me dosjet që kanë marrë vendimin e njohjes në fillim dhe do të ndiqet radha sipas datave të vendimeve. Ndërkohë që afati i shqyrtimit të dosjeve zgjatet nga 60 ditë në 90 ditë. Ndërsa kompensimi fizik kur prona është e lirë i kthehet pa kufizim pronarit dhe ato vendime që janë dhënë për kthimin e tokës bujqësore nuk mund të ç’bëhen. Për tokat që janë zënë nga ndërtimet pa leje, pronarët do të kompensohen financiarisht.















