Në një reagim në rrjetin social Fejsbuk, Braçe shkruan se Nishani sot si sekretar organizativ i Partise Demokratike, gjeti Dasho Alikon-kryetari i Lazaratit, si arsyen themelore për të rrëzuar ligjin për reformën administrative territoriale të Shqipërisë
Pas mbledhjes që zhvilloi sot presidenti Bujar Nishani me përfaqësues të Shoqatës së Komunave me të cilët bisedoi për ndarjen e re territoriale- administrative, ka reaguar deputeti i Partisë Socialiste Erjon Braçe.
Në një reagim në rrjetin social Fejsbuk (Facebook), Braçe shkruan se Nishani sot si sekretar organizativ i Partise Demokratike, gjeti Dasho Alikon-kryetari i Lazaratit, si arsyen themelore për të rrëzuar ligjin për reformën administrative territoriale të Shqipërisë. Sipas Braçes kreu i shtetit është tërësisht i paanshëm dhe tërësisht përfaqësues i unitetit të Partisë, nga Malesia në Lazarat!!
Në limitetet e kohës për shprehjen e Presidentit të Republikës për reformën territoriale të miratuar nga Kuvendi më 31 korrik, presidenti ka pritur në takim përfaqësues të Shoqatës së Komunave që e kanë kundërshtuar ndarjen e re.
Në njoftimin e Presidencës thuhet se në këtë takim, Presidenti mbështeti plotësisht nismën e qeverisë për ndërmarrjen e reformës administrativo- territorial. Por paralajmërimi për mosdekretimin e këtij ligji përforcohet edhe më shumë nga qëndrimi i tij i shprehur në njoftim se “kryerja e saj duhet të bëhet në përputhje të plotë me interesat kombëtare, ato të qytetarëve dhe duhet të jetë një proces i mbështetur në Kushtetutën dhe ligjet e vendit”.
Reforma Territoriale është miratuar në 31 Korrik dhe brenda 21 ditësh, Presidenti duhet të vendosë nëse do e dekretojë ose jo këtë draft të propozuar e miratuar nga maxhoranca. E djathta nuk mori pjesë hartimin e Reformës Territoriale me pretendimin se opozita ka shkelur konsensusin.
Harta e re administrative e Republikës së Shqipërisë e ndan vendin në 61 bashki. Pakësimi i njësive vendore synon të përmirësojë shërbimet për banorët, të lehtësojë proceset zgjedhore dhe të ulë shpenzimet financiare për pushtetin vendor.















