Policia e Kosovës ka tërhequr vërejtjen për rrezikun që përbën për sigurinë e aeroplanëve shënjestrimi nga toka i aeroplanëve me drtita laserike nga toka.
“Drejtimi i dritës laserike nga toka në drejtim të një aeroplani civil, përkatësisht në drejtim të kabinës së pilotëve, në fazën e përgatitjes për ulje e gjatë uljes apo në fazën e ngjitjes, kur aeroplani ndodhet në lartësi të ulët, mund të shkaktojë një verbim momental të pilotëve dhe mund ta rrezikojë sigurinë e fluturimit”, theksohet në komunikatën e Policisë së Kosovës.
Kjo vërejtje vjen pas një sërë rastesh të raportuara gjatë vitit të kaluar dhe disa rasteve të evidentuara gjatë këtij viti, kur persona të pandërgjegjshëm kanë drejtuar nga toka laserët ndriçues në aeroplanët civilë, gjatë aterrimit apo gjatë fluturimit nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”.
Policia kujton se veprimet e tilla, nga kushdo qofë, trajtohen si rrezikim i operimeve të aviacionit civil dhe janë të dënueshme sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Të gjithë personat e identifikuar si përdorues dhe drejtues të laserëve ndriçues drejt aeroplanëve në fluturim, do të përballen me procedurat ligjore të sanksionuara në bazë të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Policia e Kosovës, Autoriteti i Aviacionit Civil dhe Kontrolli Ajror i Aeroportit “Adem Jashari” kanë zhvilluar një procedurë për reagim në raste të tilla. Kjo procedurë ia mundëson policisë që brenda pak minutash të identifikojë vendin e burimit të rrezes laserike që i është drejtuar një aeroplani.














