Të tre partitë politike do të propozojnë nga një negociator me fuqi të plota për të negocuar për arritjen e një marrëveshjeje për miratimin e reformës në drejtësi.
Kreu i PD-së Lulzim Basha tha se Oerd Bylykbashi do të përfaqësojë opozitën në këto negociata.
“Si kryetari i PD dhe kryetari i opozitës e vlerësoj këtë takim si konstruktiv. Në fund të takimit tre forcat politike, tre kryetarët e forcave politike kanë angazhuar secili nga një përfaqësues të tyrin për të kërkuar zgjidhje bazuar mbi propozimin hibrid dhe rekomandimet fin ale të komisionit të Venecias”, theksoi Basha.
Burime nga takimi bëjnë të ditur se nga PS negociator do të jetë Engjëll Agaçi, ndërsa nga LSI, Ylli Manjani.
Takimi midis tre liderëve zgjati rreth 100 minuta.
Kryeministri Edi Rama doli i pari nga takimi, por nuk dha asnjë prononcim për mediat. Ai ka njoftuar për konferencë në orën 19:00.
Kryesia e Kuvendit njofton se pika e vetme në diskutim ishte propozimi hibrid i zv.sekretares amerikane të shtetit, Viktoria Nuland. Basha shoqërohet në këtë takim nga deputeti Oerd Bylykbashi, Meta nga Petrit Vasili, ndërsa Rama ishte i vetem.
Në takim, ashtu siç kishin paralajmëruar munguan dy ambasadorët, Donald Lu dhe Romana Vlahutin.






















