Kryeministri Edi Rama, në fjalimin e paralajmëruar lidhur me takimin e mbajtur më herët me kreun e Kuvendit dhe atë të opozitës për reformën në drejtësi, ka paralajmëruar se ky proces mund të shënojë një “ndarje të re dramatike” për vendin.
Rama ka deklaruar se, reforma në drejtësi është një revolucion i mirëfilltë dhe sipas tij, “nuk ndodh gjithnjë që një revolucion i vonuar të jetë objekt i një diskutimi kaq të madh përballë një muri shurdh që synon me çdo kusht ta pengojë këtë revolucion paqësor dhe transformues për gjeneratën tjetër dhe të tjerat”.
“Kjo është reforma më e rëndësishme dhe vetëm pak ditë na ndajnë nga një moment deri tek i cili unë do të shpresoj deri në minutën e fundit se do të arrihet bashkimi i të gjithëve për t’i celur rrugën këtij transformimi, por që mund të jetë edhe momenti dramatik për një ndarje të re”, ka deklaruar Rama.
Sipas tij, ndarja në fjalë është: “Mes atyre që janë të vetëdijshëm përse janë në Parlament dhe atyre që po bëjnë çmos për të mos e lejuar këtë transformim kolosal”.
“Ne kemi qenë, jemi dhe do të jemi deri në fund të vendosur që t’i hapim rrugë këtij revolucioni dhe të mundësojmë që Shqipëria të ndahet nga një epokë e karakterizuar nga mungesa e drejtësisë, kultura e pandëshkueshmërisë dhe pamundësia e njeriut të zakonshëm për të gjetur të drejtën në një derë gjykate”, ka thënë Rama.
Kryeministri ka vazhduar më tej kur tha se: “Është e pamendueshme që një parti që lindi nga barku i revolucionit demokratik që përmbysi regjimin sot ti bëhet murë Europës dhe SHBA-së në emër të sovranitetit. Për fat të keq sic ndodh gjithmonë kur patriotizmi përdoret për të fshehur diçka që s’ka lidhje me lartësinë ideale të koncepteteve nuk janë asgjë tjetër vecse mburoja dhe beteja më e egër që i është hapur SHBA, BE dhe interesit jetik te Shqiperise. Beteja për të mbrojtur damkën e të korruptuarve në sistemin e drejtësisë dhe për të vazhduar për të mbajtur peng ata që në këtë sistem janë të ndershëm.”
“Të enjten do shkoj në parlament jo për fatin e mandatiti tim por të Shqipërisë. Kjo është rruga e vetme, çdo rrethrrotullim tjetër, apo rrugë tjetër është ikja me bisht ndër shalë nga ato momente që janë tepër të pakta në politikë”, tha Rama.
Në fund një mesazh për PD-në :“Dua ta mbyll duke i thënë në sy një për një të gjithë deputetëve të PD që të luash me fatin e Shqipërisë thjesht se ke hallin si do të shkojë puna e mandatit tënd është dicka që ka vetëm një emër, dhe këtë emër e kam ruajtur ta them të enjten. Jemi në kushtet kur duhet ti japim jetë këtij procesi. Do e bëjmë me vendosmëri.”























