Edi Rama ka këmbëngulur këto kohë, sa duke dalë personalisht në publik, aq duke nxjerrë edhe besnikët e tij, se PS do të adoptojë modelin laburist për zgjedhjet për kreun e partisë. Ky model – thotë Rama – përjashton votimet për kryetarin kur ai është kryeministër, pasi kreu i qeverisë e ka marrë në zgjedhjet e përgjithshme edhe mbështetjen e anëtarësisë. Me këtë model Rama është përpjekur këto kohë të mbrohet përpara akuzave të Ben Blushit se ai ka shkelur statutin e PS që është në fuqi, i cili e detyron PS –në të shkojë në zgjedhje 1 herë në 4 vjet për kryetarin dhe forumet, pavarësisht nëse është në opozitë apo pushtet. Edi Rama e ka quajtur absurde kërkesën që ai t’i nënshtrohet procesit të zgjedhjeve në parti kur ai është lideri i një aleance që ka marrë 1 milion vota në dy zgjedhje, në një kohë kur PS ka gati 100 mijë anëtarë dhe synon t’i bëjë 150 mijë. Por presioni i Blushit dhe i disa deputetëve e figurave të njohura të PS që e mbështetën atë publikisht, e ka detyruar Ramën që t’i bëjnë një “arrnim” statutit të ri, të cilin Blushi preferon ta quajë si një kostum që po qepet sipas përmasave të Ramës. Gazeta Panorama ka mësuar se në nenin 42, pika 6 që përcakton zgjedhjet për kryetarin është bërë një ndryshim përsa i përket mënyrës së zgjedhjes kur partia është në pushtet.
“Kur partia është në qeveri dhe kryetari i saj zgjidhet kryeministër, zgjedhjet për kryetarin e partisë do të zhvillohen vetëm nëse kërkuhen nga të paktën 10 % e delegatëve dhe kërkesa merr mbështetjen e shumicës së delegatëve të Kongresit në votimin që zhvillohe tnë kongresin vjetor të partisë”. Kjo formë rrëzon idenë që Rama ka mbrojtur fuqishëm këto kohë; atë të adoptimit të filozofisë laburiste në Partinë Socialiste të Shqipërisë. Por edhe me këtë tërheqje, hartuesit e statutit janë përpjekur të ruajnë “paprekshmërinë” e kryetarit. Statuti i ka shtrënguar kriteret për kandidatët e rinj, duke përcaktuar se kandidati për kryetar të PS –së duhet të marrë firmat e 10 % të delegatëve të kongresit ose 5 % të anëtarësisë. “Asnjë prej tyre nuk duhet të ketë mbështetjen e më shumë se 20 % të delegatëve”, sanksionohet më tej po në pikën 42. Veç procesit të zgjedhjeve për kreun, statuti e ka forcuar pozitën e kryetarit, duke i dhënë kompetenca të reja. Kështu kryetari do të ketë në dorë të propozojë nga radhët e anëtarëve të kryesisë kandidatët për kryetar të grupit parlamentar, për kryetar dhe nënkryetar të Kuvendit, për kryetar të komisoneve dhe delegacionev etë përhershme të Kuvendit dhe ia paraqet për miratim grupit parlamentar. Ai drejton procesin e hartimit , miratimin dhe paraqitjen e listave për kandidatë të partisë në zgjedhjet e përgjithshme e vendore.














