Vetëm 3 muaj kishte që ishte martuar dhe bashkuar me të shoqin e saj në Angli, 25-vjeçarja shqiptare Elidona Demiraj.
Bashkëshorti i saj, Lulzim Qeleposhi, që banonte atje me dokumenta të rreme nën emrin Arben Rexha, e vrau me thikë vetëm 90 ditë më pas dhe siç u publikua në media, historia tragjike e nuses së re, u dokumentua thjesht si “vajza që refuzoi të dilte për kafe.”
Por, cila është e vërteta? Atë e shpjegon qartë babai i saj, Halil Demiraj, në një mesazh drejtuar gjithë miqve që iu bashkuan dhimbjes së tij.
Ja çfarë shkruan ai:
Me hidhërim të madh për vdekjen tragjike të vajzës tonë, Elidona Demiraj, por me një respekt e mirenjohje të thellë, falenderoj përzemërsisht të gjithë shokët, miqtë, gjithë shqiptarët brenda kufijve e në diasporë e shumë njerëz të kombeve të tjera.
Në mënyrë të veçantë, familjarët, komshi me vajzën time tre muajt e fundit të jetës së saj të shkurtër për dhimbjen e madhe që treguat, për ngushëllimet që i përcollët familjes sonë, për vdekjen tragjike të vajzës sonë të pafajshme.
Per ata që s’e njohin: Elidona vjen nga një familje në fshatin Begaj të Tropojës.
U arsimua në Tropojë, u diplomua në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër.
U fejua në tetor të vitit 2013 me Lulzim Qeleposhin (Arben Rexha në Angli).
U martua para 3 muajsh kur e mori në Angli. Ky bashkëshort kriminel, që jo vetëm i privoi dashurinë dhe lumturinë, buzëqeshjen e saj të ëmbël që për 25 vite nuk iu largua asnjë çast nga fytyra e saj, i privoi, i mohoi e i mori edhe atë që ia fali Zoti, “jetën” në kulmin e rinisë së saj.
Uroj që rasti i vajzës time të mos i trokasë në derë askujt dhe askund!” përfundon Halil Demiraj.































