Kryeministri Edi Rama pas takimit me homologun serb Aleksandër Vuçiç ka dhënë një intervistë për Reuters ku ka pranuar se pavarësisht debatit për çështjen e Kosovës, ky takim ishte një hap i rëndësishëm përpara në marrëdhëniet mes dy vendeve. Rama gjithashtu shtoi se bashkëpunimi mes dy vendeve duhet të vazhdojë. “Ishte një hap mjaft i rëndësishëm përpara, sigurisht që po, mjaft i rëndësishëm përpara. Sepse pavarësisht çështjes së Kosovës, ku jemi totalisht në mosmarrëveshje, ka ende shumë çështje të tjera, si nevoja për të bashkëpunuar për të mirën e vendeve tona dhe popullit tonë, për të hyrë në Bashkimin Europian. Mendoj se gjithnjë e më tepër është rritur vetëdija se të vetëm nuk mund të shkojmë larg, por së bashku po”, tha Rama. Kryeministri vuri në dukje se paqja e arritur në rajon nuk duhet të merret si e mirëqenë nga Bashkimi Europian. “Pas marrëveshjes së paqes Serbi-Kosovë, i erdhi fundi edhe konfliktit të kufijve. Dhe çfarëdo që të thotë Serbia sot, është e qartë se nuk ka konflikt për kufijtë. Kjo është fantastike, por nuk është e mirëqenë dhe do të ishte gabim nga ana e BE-së që të mendonte se nuk mund të ndryshojë më kurrë nëse e merr si të mirëqenë këtë. Vetë fakti që një ndeshje futbolli mund të përkeqësojë në këtë mënyrë marrëdhëniet tregon se sa vulnerabël është paqja në Ballkan. Por çdo prapsim i marrëdhënieve në Ballkan do të ishte një zmbrapsje e tmerrshme edhe për Europën. Kushdo që mendon se Ballkani është jashtë Europës kështu që nuk është problem europian, e ka tmerrësisht gabim. Na mjafton Lindja e Mesme, nuk na duhet edhe Perëndimi i Mesëm, përndryshe do të ishte e tepërt dhe një goditje totale”, u shpreh Rama. Për Ramën, fakti që në Ballkan tashmë ka dy shtete shqiptare, ka qenë faktor qëndrueshmërie dhe shqiptarët kanë tashmë më shumë përgjegjësi në rajon.
Ekskluzive/ Sa viza aprovoi dhe refuzoi Anglia për shqiptarët janar-shtator 2023
Për të njëjtën periudhë kohore për viza familjare aplikuan 1,365 shtetas shqiptarë. Në të gjitha deklarimet publike, kryeministri Anglisë Rishi...
















