Kryeministri Edi Rama është ndalur sot në Shkodër, në kuadër të takimeve të turit “Ta pastrojmë më tej Shqipërinë”. Në fjalimin e tij para të pranishmëve, Rama ka kërkuar ndjesë për dekorimin e Shyqyri Çokut, ish-agjentit të Sigurimit të Shtetit, por ka shtuar se qeveria e ka dekoruar pasi ai gëzonte statusin e veteranit, të cilin e ka marrë kur Sali Berisha ishte president i vendit.
“Kërkoj ndjesë të detyrueshme. Dekorimi i torturuesit nuk nisi vjet, por shumë vite më parë. Ministria e Mbrojtjes bëri një veprim mekanik. E nxori vendimin për dhënien e këtyre medaljeve duke iu referuar kategorisë së parë, që është përcaktuar me ligj shumë kohë më parë. Berisha është kapur pas medaljes, por e ka paguar torturuesin për 25 vjet me pension. Këto janë akuza monstruoze për të trazuar gjakun e atyre që kanë vuajtur persekutimet”, tha Rama.
Kreu i qeverisë tha më tej se qeveria i ka mbështetur ish-të përndjekurit më shumë se paraardhësit në pushtet, të cilët pretendonin se i përfaqësonin. Rama tha se qeveria ka akorduar për ish-të përndjekurit 20 milionë dollarë në vit, ndërsa qeveria “Berisha” nuk i ka kaluar 7 milionë në vit.
Duke u ndalur në protestën e opozitës javën e kaluar dhe sulmin ndaj bunkerit, Rama tha se ai nuk përfaqëson dëshirën për të glorifikuar komunizmin, por është dëshmi rrëqethëse e një kohe që nuk duhet harruar.
“Na qenka bunkeri i ndërtuar pranë Ministrisë së Brendshme një monument për ta glorifikuar komunizmin. Vetëm të marrët mund ta konsiderojnë të tillë. Është një shprehje lapidare që thotë se “çdo popull që i ikën të shkuarës së vet, e gjen atë përpara”. Pse e ruajtën gjermanët kampin e Aushvicit? Si një dëshmi rrëqethëse që i thërret atij kombi dhe përmes saj, ai komb u thotë të tjerëve “na falni”.
Ai nuk është bunker. Ai është hyrja e muzeut të nëntokës, që ne duam t’ia tregojmë publikut, që të rinjtë të kenë kontaktin e tyre fizik me atë histori që përndryshe mbetet e mbuluar. Është e pabesueshme që këta qesharakë dhe ky akuzator që ka marrë Shqipërinë peng prej 25 vjetësh, të cilët sa herë u zotuan se do bëjmë monumentin e viktimave të komunizmit… Çfarë bënë? Asgjë! Nëse do të ishte gjallë Frojdi e t’i shihte, do të thoshte “Nuk kanë faj, djegin bunkerin që kanë brenda””, tha Rama.
Rama tha se në vend po krijohet kultura e kriminalizimit të gjithçkaje që është e kundërshtarit.
“Nuk ka ide të re që nuk kriminalizohet nëse është e tjetrit. Nuk ka vendim qeverie që nuk kriminalizohet sepse qeveria është e armikut. Nuk është vetëm politika, e cila e ka pësuar këtë bombardim të përditshëm, por edhe shoqëria dhe media. Është bërë gjëja më e zakonshme të ngresh gishtin e akuzës pa fakte dhe referenca. Lumenj të tërë analizash e opinionesh që burojnë nga bindjet e krijuara me të dëgjuar. Kriminalizimi nuk njeh kufij dhe vetëpërmbajtje deri në absurd”, tha ai.
Kreu i qeverisë sqaroi edhe deklaratën e tij dy ditë më parë në Sarandë, e cila u komentua si fyerje ndaj veriorëve.
“Nuk fola kundër veriorëve. Më kanë vënë në gojë edhe histori të tipit “mos votoni Ramën se ju thotë çeçenë”. Turp! Unë thashë që në bregun Jon nuk ka asnjë problematikë të krijuar nga njerëz që kanë ardhur nga veriu e kanë ndërtuar në plazh.
Në bregdetin Jon ka një tjetër histori për njerëz që i solli Saliu nga Alpet e dolën pronarë tokash. Janë deri tani 50 mijë ha. Për këta fola unë, por kështu funksionon mekanizmi, mbrojtja më e mirë është sulmi”, tha Rama.
















