Këshilli i Bashkimit Evropian i kërkon Shqipërisë të zbatojë në mënyrë të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse pesë përparësitë kyçe për çeljen e negociatave për anëtarësim.
Në përfundimet e miratuara sot nga ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare, vendi ynë inkurajohet të vijojë me përpjekjet. Këshilli mirëpret përparimin e qëndrueshëm që ka bërë Shqipëria në përmbushjen e përparësive, veçanërisht në reformën e administratës publike dhe përgatitjet për një reformë tërësore në sistemin gjyqësor.
Këshilli thekson se nevojiten përpjekje të mëtejshme mbi disa përparësi kyçe, në veçanti miratimin e paketës së reformës gjyqësore me qëllim krijimin e një baze solide provash për hetime proaktive, ndjekjeve penale dhe dënime përfundimtare në të gjitha nivelet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë edhe luftën kundër armëve dhe trafikut të drogës. Këshilli nënvizon se reforma gjyqësore është një kyç për të çuar përpara këtë lëvizje në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe mund të jetë transformues për reforma të tjera.
Në të njëjtën kohë, KE-ja rithekson nevojën për masa efektive legjislative dhe të politikave për të përforcuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe politikave anti-diskriminuese, përfshirë edhe trajtimin e barabartë të të gjitha pakicave dhe qasjen e tyre në të drejtat që u përkasin atyre si dhe për zbatimin e të drejtave pronësore. Këshilli pret miratimin dhe zbatimin e legjislacionit mbi përjashtimin e shkelësve nga postet publike, për të rritur besimin e qytetarëve në politikë, përfaqësuesit e tyre dhe institucionet publike. Ai përsërit se Shqipëria duhet të ndjekë reformat ekonomike që synojnë rritjen e konkurrencës dhe inkurajojnë vendin të vazhdojë të adresojë nivelin e lartë të informalitetit në ekonomi dhe për të përmirësuar biznesin dhe mjedisin e investimeve.
Një tjetër pikë ku ndalet vlerësimi i KE-së është nevoja për dialog të qëndrueshëm dhe konstruktiv mes qeverisë dhe opozitës mbi me reformat që lidhen me anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Së fundi, Këshilli mirëpret angazhimin e vazhdueshëm dhe konstruktiv të Shqipërisë në bashkëpunimin rajonal dhe thekson rëndësinë e marrëdhënieve të mira fqinjësore.
KE: Zbatimi i përparësive, kusht për çeljen e negociatave by En Veri
















