Kryeministri Edi Rama mori pjesë këtë të premte në çeljen e vitit të ri akademik të Akademisë së Policisë. Gjatë ceremonisë së organizuar në Akademinë e Policisë në Sauk, kreu i qeverisë shprehu mbështetjen e qeverisë për punonjësit e policisë.
“Ju tani jeni 500 vajza e djem që keni kaluar në këtë fazë të dytë duke lënë pas shumë të tjerë e të tjera që erdhën në këtë rrugë, por që nuk mundën të kalojnë provat gjatë rrugës. Sigurisht që provat vazhdojnë, ju tani jeni në kujdesin e një grupi pedagogësh që vijnë nga eksperienca e drejtpërdrejtë në Policinë e Shtetit, jeni përpara provës që do të tregojë nëse jeni apo jo të denjë për të vazhduar rrugën e kështu do të vazhdojë rruga juaj dhe do të vazhdojë rruga e çdokujt që është në karrierë në Policinë e Shtetit me prova pas provash , me sfida pas sfidash dhe me rreziqe”, theksoi Rama.
Duke përkujtuar punonjësit e Policisë së Shtetit që kanë rënë në krye të detyrës, Rama u kerkoi të rinjve të mos harrojnë të gjithë ata që në këto vite kanë derdhur gjak për të mbajtur pastër emrin e nderin e kësaj uniforme.
Ndërsa ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri në filim të fjalës së tij u shpreh se në historinë e Akademisë së Policisë, kjo është hera e parë që një Kryeministër merr pjesë në nisjen e kursit për studentët e Akademisë së Policisë,
“Të punosh në Policinë e Shtetit, nuk është punë si çdo punë. Fatkeqësisht, kështu ka qënë deri më sot. Sot nuk është më kështu, dhe ju më të parët, duhet të kuptoni se të shërbesh në Policinë e Shtetit, kërkon shpirt misionari, vullnet të hekurt për t’i rezistuar tundimit të paligjshmërisë, dhe shpirt skuadre për të luftuar të gjithë bashkë, të keqen që kërcënon shoqërinë tonë.Eshtë për këtë arsye që në ligjin e ri kemi përcaktuar rekrutimin dhe shërbimin në Policinë e Shtetit, si punë mbi punët, duke përjashtuar çdo mundësi që në Policinë e Shtetit të hysh e të dalësh sipas qejfit, apo më keq, sipas mandateve qeverisëse. Me ligjin e ri, ata që largohen për më shumë se dy vjet nga Policia e Shtetit, nuk mund të kthehen më, sepse ata që duhet të shërbejnë në Policinë e Shtetit, duhet ta bëjnë këtë si detyrë të shenjtë, jo si trampolinë, dhe as si detyrë me kohë të pjesshme.” tha Tahiri.
Me tej ministri kërkoi ritjen e numrit të punonjësve të policisë të cilët kanë arsimin e lartë.
“Kemi parashikuar në ligjin e ri të Policisë së Shtetit, ngritjen e një institucioni arsimor këtu, me kurrikula moderne dhe përgatitje intensive, prej të cilit do të dalin specialistë të lartë të hetimit të krimit. Lufta kundër krimit nuk bëhet me mediokritet, por me forcën e mendjes. Ndaj ju duhet të studioni, shumë madje, për të bërë diferencën jo vetëm ndërmjet jush dhe botës së paligjshmërisë, por mbi të gjitha ndërmjet jush dhe atyre që do gjeni në detyrë në rradhët e Policisë.Lufta kundër krimit nuk mund të bëhet as pa përgatitje fizike. Sot ka ende punonjës policie që nuk shohin dot majat e këpucëve të veta, se nuk i lë shëndoshja dhe majmja” Tha Tahiri.