Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti zhvilluan sot një takim me fermerë të komunës së Poshnjes në qarkun e Beratit.
Në fjalën e tij kreu i qeverisë u premtoi fermereve mbështetje financiare për rritjen e prodhimit, të eksportit dhe të punësimit.
“Ajo që për ne është me rëndësi themelore është që qeveria të mos qëndrojë më në pozicionin pasiv, duke e thërrmuar fondin e mbështetjes për bujqësinë, për të garantuar thjesht një lëmoshë mbijetese, por të jetë një pozicion aktiv dhe në bashkëpunim me fermerët të investojë në projekte që sigurojnë rritje të punësimit, që sigurojnë rritje të prodhimit dhe që sigurojnë rritje të eksporteve. Në këtë mënyrë, nga njëra anë të shmangim një herë e përgjithmonë atë korrupsion të tmerrshëm që i karakterizoi skemat e subvencionimit të naftës dhe nga ana tjetër të bëjmë të mundur që çdo pikë naftë, për të cilën qeveria financon fermerin, të shkojë tek prodhimi dhe jo në kanalet e korrupsionit”, tha Rama.
Me tej shefi i qeverisë nënvizoi se çdo qindarkë do të shkojë në drejtimin e duhur për të gjithë ata që në fshat, përmes punës krijojnë vende të reja pune dhe krijojnë rritje të prodhimit.















