Kryeministri Edi Rama deklaron se ekziston rreziku që boshllëku ekonomik mes vendeve të rajonit dhe Bashkimit Europian të bëhet më i madh, ndaj nënvizoi se në këtë kuadër duhet të ketë më shumë vëmendje ndaj pasigurive që do të ndeshen në të ardhmen. “Për ne është e rëndësishme që të theksojmë dimensionin e sigurisë për bashkëpunimin rajonal. Deklarata e përbashkët kundër terrorizmit që do nënshkruhet në këtë takim, dëshmon bashkëpunimin e mëtejshëm. Në samitin e radhës u tha me të drejtë se procesi i bashkëpunimit në Europën Juglindore është rivitalizuar. Si përfaqësues i vendit që drejton këtë proces deri në qershor propozoj që të sigurojmë pozicionin tonë si partner i besueshëm i BE dhe duhet të bëhemi partnerë aktiv të BE. Europa haset me sfida ekonomiko- politike dhe ne duhet që këto sfida ti përballim si duhet. Bashkimit Europian i duhet ky rajon, aq sa këtij rajoni i duhet BE. Shqipëria do jetë vend i angazhuar në procesin e integrimit”, u shpreh Rama.
Duke folur gjatë takimit informal të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve pjesëmarrëse, ku marrin pjesë përfaqësues të 13 vendeve pjesëmarrëse të SEECP (Procesi i bashkëpunimit të Europës Juglindore), përfaqësues të Bashkimit Europian, përfaqësues të Presidencës Letoneze të BE dhe të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), kreu i qeverisë tha se është insistuar në ekonomi, infrastrukturë dhe fusha të tjera në mënyrë që të përcaktohen mënyra të reja efikase për bashkëpunimin në rajon. Rama shtoi më tej se qeveria që ai drejton beson se procesi i Berlinit por edhe strategji të tjera mundësojnë që të përmirësohet situata në Europën Juglindore, duke thënë se rajoni duhet të bëhet më i denjë për në Bashkimin Europian. Sipas tij duhet luftuar në mënyrë që zëri të dëgjohet, duke shtuar se pa bashkëpunim, bashkimi mund të jetë më i brishtë. “Vitin që shkoi shënuam përfundimin e 100 vjetorit të përfundimit të luftës së dytë botërore. Kontinenti jonë po kalon një tjetër pikë të rëndësishme që do kërkojë përpkjekje të reja, kështu që Shqipëria është e angazhaur për të bashkuar forcat në mënyrë që ne të kontribuojmë për një Europë të fortë dhe të integruar”, tha në vijim Rama.
















