Dhjetëra qytetarë të Peqinit zhvilluan sot një protestë në qendër të qytetit, kundër aksioneve të policisë për arrestimin e vjedhësve të energjisë elektrike. Me parullat “Ndal terrorit policor në Peqin”, qytetarët kanë akuzuar qeverinë për terror e mashtrime.
Protesta e qytetarëve u mbështet edhe nga kryebashkiaku Ilir Rrushi, kreu i PD-së së Peqinit, Diell Çela dhe deputeti demokrat Ardian Turku.
Sipas kryebashkiakut të Peqinit, “qeveria Rama-Meta është qeveri e mashtrimit, që po terrorizon të varfrit dhe po mbron të pasurit”.
Ndërkohë deputeti demokrat Ardian Turku i bëri thirrje policisë të zbatojë ligjin. “Të marrin fund kërcënimet ndaj qytetarëve. PD është për zbatimin e ligjit, denoncojmë arrestimet e dhunshme. Kur nuk respektohet ligji, rebelohet populli. Në këtë shesh do të ishin shumë më tepër njerëz, po i ndaloi frika policore.”- deklaroi Turku.
















