Ish-kryenegociatori i Serbisë në bisedimet me Kosovën, Borko Stefanoviç, duke komentuar raportet mes Shqipërisë dhe Serbisë tha se vizita e Edi Ramës në Beograd përfundoi në një atmosferë tepër të keqe.
“Ai zgjodhi shembullin më të keq të asaj që është mëse e ditur, pra që Shqipëria mbështet pavarësinë e Kosovës dhe inkurajon vendet e tjera që të bëjnë të njëjtën gjë. Pra, nëse më lejohet, Rama mund të kishte thënë ‘qëndrimi ynë për Kosovën është i njohur dhe ne besojmë që Kosova është një shtet i pavarur’, -dhe do të mjaftonte kaq. Por, ai shkoi përtej duke thënë se Serbia duhet ta njohë Kosovën dhe këtë realitet që ajo është një shtet i pavarur. Pra, pati disa skaje të vrazhda në këtë bashkëbisedim dhe kjo u pa qartë. Nga ana tjetër edhe kryeministri ynë u përgjigj me shumë emocione dhe në mënyrë të nervozuar, çka gjithashtu ishte e qartë. Pra e gjithë vizita praktikisht dështoi. Të mos harrojmë incidentin me dronin dhe atë flamurin qesharak, pasojat e së cilit ishin të pranishme edhe gjatë vizitës”, thotë ai.
Sipas Stefanoviç, Shqipëria dhe Serbia e kanë të lehtë të pajtohen.
“Duhet thjesht të ulemi bashkë dhe të themi: ‘Ju e njihni Kosovën, është e drejta juaj dhe askush nuk do të ndërhyjë se jeni shtet sovran, por të lutem, të paktën kur të jemi bashkë përpara kamerave në një eveniment publik le të përpiqemi të mos e provokojmë njëri-tjetrin’. Po i jap edhe një tjetër këshillë falas z. Rama që mund të kishte thënë thjesht: ‘Qëndrimi ynë për Kosovën është i ditur që ne besojmë se është një shtet i pavarur’. Pse duhet të shkosh përtej kësaj? Përse për herë të parë pas 68 vjetësh vjen në Beograd dhe i jep vetes të drejtën për ti dhënë leksione serbëve?”, shton Stefanoviç, transmeton A1Report.
Stefanoviç thotë se në Serbi shumica e dinë se Kosova është shtet i pavarur dhe se ky është një realitet.
Ndërsa, vlerëson se Serbia ka të drejtë të kujdeset për serbët në Kosovë, njëlloj siç e ka të drejtën edhe Shqipëria të kujdeset për shqiptarët në Luginë të Preshevës.















