Gazeta Blic shkruan se politikanë dhe diplomatë me ndikim në Bruksel e Berlin, e shohin me dyshim rolin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani.
“Nuk ka asnjë dyshim që Hasani është i afërt me Thaçin”, i kanë thënë kësaj gazete diplomatët evropianë.
Shkaku pse roli i Hasanit po shihet me dyshim ka të bëjë edhe me atë se si Kosova, ky shtet kaq i ri, “tashmë dy herë ka rënë në duart e këtij autoriteti duke rrëzuar dy presidentë”.
“Nuk është çështja këtu nëse Hasani dhe kolegët e tij kanë patur të drejtë apo jo me vendimet e tyre për presidentët. Por, është disi e habitshme”, thonë ata.
Duket që hidhërimi me Hasanin vjen sidomos për shkak të vendimit të fundit të Kushtetueses për t’i dhënë Thaçit dhe PDK-së të drejtën që presidentja ta mandatojë këtë parti për të qeverisur me vendin.
“Kosova ka një sistem kushtetues gati 99 për qind të njëjtë me të Gjermanisë… Nuk ka demokraci pa koalicione. Koalicionet mund të jenë para, por edhe paszgjedhore. Bile ato mund të ndërrojnë edhe në mes të legjislaturës. Kujtojeni rastin e Helmut Kohlit dhe Genscherit në vitet ‘80. Liberalët gjermanë ikën nga SPD dhe kaluan me CDU. Brenda një ore u ndërrua Qeveria e socialdemokratit Schmidt dhe kancelar u bë Kohli. Nuk ndodhën as zgjedhje e as padi në Kushtetuese”, vlerësojnë diplomatët në fjalë.
E vetmja shpresë që Brukseli vazhdon të ketë rreth situatës së krijuar në Kosovë janë amerikanët.
“Ne e dimë që Hasani, para Thaçit u nënshtrohet vetëm amerikanëve. Fakti që kolegu i tij amerikan në pyetjen e Presidencës e ka ndarë mendimin, do të duhej të ishte një sinjal i mjaftueshëm për të që ka gabuar dhe se tashti do t’i duhet të ballafaqohet edhe me vlerësimin e kolegut të tij amerikan, por edhe të kolegëve të tjerë të cilët, dorën në zemër, shumica prej tyre janë nën ndikimin e tij”, është bërë e ditur.














