Punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët kanë arritur rezultate të larta në kryerjen e detyrës gjatë këtij viti do të shpërblehen financiarisht në masën e dy pagave mujore. Me anë të një vendimi të sotëm, qeveria vë në dispozicion të Policisë së Shtetit një fond prej 98 400 000 nga fondi i pagave për shpërblimet e fundvitit. Vendimi është marrë sot gjatë mbledhjes së qeverisë.
V E N D I M
PËR LEJIMIN E PËRDORIMIT TË FONDIT TË PAGAVE PËR SHPËRBLIMIN E DISA PUNONJËSVE TË POLICISË SË SHTETIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 143, të ligjit nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, dhe të ligjit nr.160/2014, “Për buxhetin e vitit 2015”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Lejimin e Policisë së Shtetit për përdorimin e fondit prej 98 400 000 (nëntëdhjetë e tetë milionë e katërqind mijë) lekësh, nga fondi i pagave, të planifikuar për vitin 2015, në programin buxhetor “Policia e Shtetit”, për shpërblimin e punonjësve të Policisë së Shtetit, që kanë arritur rezultate të larta në kryerjen e detyrës.
- Masa e shpërblimit të jetë deri në 2 paga mujore.
- Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.















