Kryeministri Edi Rama ishte pasditen e të mërkurës në Kamëz, ku shpërndau leje legalizimi. Ai tha se tashmë qytetarët nuk do të marrin letra legalizimesh, por direkt hipotekën për banesat e tyre.
“Ata morën votën tuaj e s’ju morën seriozisht. Ne kemi 18 muaj që kemi filluar të japim leje, se muajt e parë patëm detyrë të mblidhnim dokumentet tuaja që ishin lënë rrugëve. Ata në tetë vite bënë 21 mijë legalizime, ne në 18 muaj 40 mijë”, u shpreh kreu i qeverisë.
Ai premtoi se vitin e ardhshëm do të shpërndahen 140 mijë letra legalizimi të tjera: “Nuk jemi aspak të kënaqur, nevojat janë më shumë. Vitin e ardhshëm do të bëhen 140 mijë legalizime, ndërsa në 8 vite u bënë 21 mijë legalizime, 80 për qind e tyre biznese. Madje legalizimet e tyre në jo pak raste bëheshin duke korruptuar”.
Duke vijuar me kritika për qeverisjen e mëparshme, kryeministri u shpreh: “Në 25 vjet Saliu nuk ju dha asnjë letër legalizimi, por ju kënaqi duke më sharë mua. Ka disa nga ju që dëgjoni dhe shihni vetëm me sytë dhe gojën e Saliut. Saliun mbajeni, unë kam borxh t’iu jap lejet e legalizimit”.
Në fund, Rama premtoi edhe përmirësimin e furnizimit me energji elektrike në Kamëz, duke ironizuar sërish: “Së shpejti do të keni tension të energjisë elektrike si të gjitha qytetet e tjera dhe nuk do t’ju dridhet poçi në shtëpi siç dridheni ju kur shihni Saliun”.















