Prokuroria e Përgjithshme reagoi pas deklaratave të kreut të INUK, Zyhdi Dajti lidhur me dosjen e kompleksit “Jon” në Vlorë.
Prokuroria sqaron se dosja në fjalë u dorëzua në gjykatë që me 13 qershor dhe nën akuzë janë 8 persona.
“Të pandehurit, zyrtarë të institucioneve të Vlorës të cilët dhanë leje në kundërshtim me ligjin.”- thekson Prokuroria.
Akuzat
Kreu i INUK i bëri thirrje prokurorit të Përgjithshëm që të çojë përpara përgjegjësisë, ata që i cilëson si “shkelësit e mëdhenj të ligjit”.
Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, Zyhdi Dajti e cilëson arrestimin e tij si të sajuar për të balancuar politikisht arrestimin e kreut të INUV Florenc Hoxha, i cili sipas Dajtit është një “hajdut ordiner që mbledh paratë e ndërtimeve pa leje dhe i ndan me kunatin e famshëm që e njeh gjithë Tirana”.
“Shpresoj që akuzat ndaj meje të mos jenë hakmarrja e atyre që humbën paratë e pista të investuara në “Jon” dhe duhet të ishin sot para gjyqit, në vendin tim! Unë do ta fitoj këtë çështje të sajuar për të balancuar politikisht arrestimin e një hajduti ordiner që mbledh paratë e ndërtimeve pa leje dhe i ndan me kunatin e famshëm që e njeh gjithë Tirana”, është shprehur Dajti.
Kreu i INUK i bën thirrje prokurorit të Përgjithshëm që të çojë përpara përgjegjësisë ata që i cilëson si “shkelësit e mëdhenj të ligjit”.
“Dosjen e ‘Jonit’ e ka aty, të plotë dhe gati për gjykim. Të tjera dosje i ka aty dhe askush nuk ndihet. Ndërsa një dosje të madhe për çudirat e lejuara gjatë këtyre muajve në Tiranë do ta ketë aty së shpejti”.
“Shqiptarët mua më njohin si profesionist, në krye të një strukture që ka mbrojtur bregdetin dhe e ka çliruar atë nga zaptuesit dhe të korruptuarit. Gjithçka kam bërë, e kam bërë në emër të ligjit, duke respektuar ligjin, në të mirë të Shqipërisë”, përfundon deklarata e Dajtit.














