Prokuroria e Tiranës kërkon dënimin me 12 vjet burgim për ndërtuesin Namik Pelivani. Ai akuzohet për “mashtrim”, me pasoja të rënda, pasi rezulton administrator i një subjekti ndërtues privat.
Nga hetimet, ka rezultuar se Pelivani nuk ka respektuar kontratën që, nëpërmjet një ndërmjetësi, kishte nënshkruar me disa familje për të shfrytëzuar truallin ku ishin ndërtuar shtëpitë e tyre. Bëhet fjalë për ndërtimin e një pallati në zonën e Unazës së Re, në Tiranë.
Në Mars 2015, pjesëtarë të këtyre familjeve kanë denoncuar administratorin Namik Pelivani për mashtrim.
Banorët ishin ngjitur edhe më parë, në formë proteste publike, në tarracën e pallatit që po ndërtohej prej tij në truallin ku më parë kishin shtëpitë e tyre.
Procesi ndaj të pandehurit është zhvilluar me gjykim të shkurtuar. Për këtë arsye, i pandehuri përfiton uljen me 1/3 e dënimit nëse shpallet fajtor.
Dosja e Prokurorisë
Shoqëria “Pelivani” sh.p.k pasi ka lidhur akt-marrëveshjet me pronarët e truallit për ndërtim objekti, me vendimin nr. 10, datë 12.11.2009 të KRRT-së Komunës Kashar, ka marrë lejen për të ndërtuar një godinë banimi dhe shërbimesh 2, 4, 6 dhe 9 kate me dy kate bodrume në zonën e Unazës së Re.
Ndërkohë shoqërisë “Pelivani” sh.p.k, nga shoqëria “ASK” SH.P.K. me administrator shtetasin Alket Karemani, i është bërë një propozim për të lidhur një kontratë si nën/kontraktore, që konsistonte në kryerjen e disa shërbimeve (zëra të punimeve të ndërtimit) të cilat do të formalizoheshin në një kontratë nën/kontraktore.
Me këtë shoqëri, Shoqëria “Pelivani” do të lidhte kontratë duke e kushtëzuar me disa kushte që kishin të bënin me investimin dhe financimin e punimeve, cilësinë etj.
Shoqëria ASK, ka lidhur një “kontrate noteriale sipërmarrjeje (nën sipërmarrje bashkëpunimi)”, me datë 14.02.2009. Në bazë të nenit 2 të kësaj kontrate, shoqëria “ASK” SH.P.K merrte me nën/sipërmarrje për ndërtim një godinë, në truallin që i ishte miratuar për ndërtim shoqërisë “Pelivani” SH.P.K., sipas akteve te sipërcituara. Në nenin 4 të kësaj kontrate është parashikuar se nënsipërmarrësi do të prishë ndërtimet ekzistuese mbi këtë truall, pas realizimit të aktmarrëveshjeve me familjet që i kanë këto ndërtime, që ishin në proces legalizimi dhe u përjashtuan më pas nga ky proces me anë të vendimit nr. 93 datën 24.09.2007 të Këshillit të Komunës Kashar.
Këto marrëveshje do të bëheshin në zbatim të ligjit 9482 date 03.04.2006, “për legalizimin , urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”.Të gjitha këto aktmarrëveshje, do të merrnin jete mbas finalizimit të kontratës së nën/sipërmarrjes midis shoqërisë “Pelivani” SH.P.K dhe Shoqërisë “ASK” SH.P.K dhe do t’i dorëzoheshin për miratim subjektit ndërtues “Pelivani” SH.P.K. Shoqëria “ASK” SH.P.K, kishte marrë përsipër që të lidhte kontratë dhe të sistemonte me sipërfaqe banimi, sipas ligjit 9482 date 03.04.2006 të gjithë shtetasit që kishin ndërtuar pa leje dhe që nga Aluizni nuk iu ishte miratuar kërkesa për tu futur në proces legalizimi.
Në këto akt-marrëveshje, shoqëria “ASK”, në cilësinë e nënkontraktorit, merrte përsipër që, për llogari të palës së paditur, shoqëria “Pelivani” SH.P.K., të sistemonte këto familje, te cilat dispononin ndërtime pa leje, në banesa me qira, për periudhën nga momenti që ato do të lironin banesën, deri në momentin që do të merrnin në dorëzim ambientet e banimit, në ndërtimin e ri.
Minimumi i pagesës se qirasë do të ishte 6 muaj ose ekuivalenti me lekë në dorë. Kontratën e datës 14.02.2009, lidhur midis Shoqërisë “Pelivani” SH.P.K dhe Shoqërisë “ASK SH.P.K, i pandehuri Namik Pelivani, në menyrë të njëanshme, me pretekstin se Shoqëria “ASK” SH.P.K nuk mund të vazhdonte pasi nuk plotësonte kriteret dhe kërkesat e parashikuara në ketë kontrate, i mungonin mjetet financiare etj, i ka bere me dije nënkontraktonit “ASK SH.P.K, se nuk mund te vazhdonte më tej me finalizimin e kësaj kontrate.
Duke përdorur firmën “Ask” SH.P.K, e cila me anë të lidhjes së kontratave të porosisë me banorët që kishin ndërtuar banesa pa leje, realizon prishjen e banesave dhe kthimin e truallit në shesh ndërtimi, i pandehuri shmang pengesën e tij për te realizuar qëllimin e tij, lirimin e truallit dhe kthimin e tij në shesh ndërtimi.
Sapo firma “Ask” SH.P.K realizon shembjen e banesave, ai në mënyre te njëanshme dhe të pajustifikuar prish marrëveshjen me ketë firmë dhe nuk njeh kontratat e lidhura prej saj me banorët duke ndërprerë pagimin e qerasë së banesave ku ata ishin strehuar.
Me miratimin e sheshit të ndërtimit përjashtohen banorët që shemben banesat nga procesi i legalizimit dhe i pandehuri pasi ka lidhur më parë marrëveshje me pronarët e truallit fillon ndërtimin e pallateve shumëkatëshe të banimit, apartamentet e të cilit i shet(tjetërson) tek të tretët dhe jo banorëve që iu shemben ndërtesat.
Duke vepruar si më sipër, i pandehuri Namik Pelivani ka konsumuar elementet e veprës penale të “mashtrimit” në dëm të disa personave duke u shkaktuar atyre pasoja të rënda ekonomike, parashikuar nga neni 143/2 i K.Penal./Shekulli Online/















