Prokurori i Antimafias e ka cilësuar e ka cilësuar operacionin e policisë në Lazarat një ngjarje shumë të rëndësishme
Prokurori i Antimafias i Leçes, Kataldo Mota (Cataldo Motta), e ka cilësuar operacionin e policisë në Lazarat një ngjarje shumë të rëndësishme, për të cilën shkojnë duartrokitjet e mia personale, për autoritetet shqiptare.
Sipas tij, Italia është shumë e interesuar për këtë ndërhyrje të policisë shqiptare.
Në një intervistë telefonike për televizionin Top Channel, zoti Mota ka përgëzuar autoritetet shqiptare për ndërhyrjen e saj në Lazarat.
“Për ne është një nismë shumë e rëndësishme, sepse identifikimi i këtyre plantacioneve të kanabisit është bërë edhe falë ndihmës së Rojeve Financiare (Guardia di Finanza). Është shumë e rëndësishme që të shkatërrohen, sepse do të ulet ndjeshëm trafikimi i lëndëve narkotike nga Shqipëria”-tha ai.
Prokurori italian shtoi se “është një nismë shumë e rëndësishme dhe meriton suksesin, që do të ketë padyshim”.
Nëpërmjet policisë, Prokurorisë së Përgjithshme dhe të gjithë institucioneve të saj, qeveria shqiptare ka këtë vendosmëri të fortë për të luftuar trafikun e lëndëve narkotike.
“Jemi shumë të interesuar në këtë ndërhyrje të policisë. Dhe, për mua është një ngjarje shumë e rëndësishme, për të cilën shkojnë duartrokitjet e mia personale, për autoritetet shqiptare”, shtoi më tej Mota.
I pyetur nëse autoritetet italiane kanë kërkuar më parë ndërhyrjen në Lazarat, Mota tha:
“Kemi sinjalizuar dhe kërkuar shumë herë, që të ulej numri i këtyre plantacioneve dhe të ndërhyhej për shkatërrimin e tyre. Dhe Lazarati, për atë që ne na rezulton, është zona ku është më shumë i përhapur kultivimi i kanabisit”.
Sipas prokurorit të Antimafias së Leçes, nëse do t’u kërkohet, autoritetet italiane do të jenë të gatshme për të ndihmuar palën shqiptare në luftën e nisur kundër kanabisit.















