Ruajtja e gjuhës shqipe detyrë parësore e çdo shqiptari
Në vënd të një parathënie
Shoqata Atdhetare-Kulturore Shqiptaro-Amerikane “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia festoi ditët e fundit 10 vjetorin e Shkollës Shqipe “Gjuha Jonë”. Ishte një festë e bukur e mbushur me mbresa, kujtime, me këngë e recitime por edhe me shkëmbime mendimesh për të nxjerr mësime nga përvoja e deritanishme dhe akoma më shumë, për të mos mbetur në këtë nivel ku jemi, por për të shkuar më tej , në numër dhe cilësi. Pra u synua jo një festim tam-tamesh :” hej shihni se c’kemi bërë ne “, por një analizë pune dhe përcaktim detyrash për të ardhmen.
Përgatitjet filluan kohë më parë. Që në ditët e para të Majit u dërguan ftesat shkollave shqipe për të cilat kishim siguruar adresat elektronike dhe postare, për të marr pjesë në këto festime dhe sidomos në bashkëbisedimin “Ruajtja e gjuhës shqipe – detyrë parësore e çdo shqiptari”. Për këtë qëllim iu dërguan edhe një listë temash për të diskutuar. Rezultati: asnjë përgjigje mirësjelljeje. Shurdhëri ! Vetëm kur kishte filluar veprimtaria, nga Patison i Nju Xhersit erdhën dy zonja, Gonxhe Metaj dhe Zëra Musliu, shoqëruar nga disa vajza të reja, që përfaqësonin Shkollën shqipe të “Fondit të Përbashkët Shqiptar”. Kaq! Ky është një tregues aspak frymëzues për një problem kaq madhor siç është ruajtja e gjuhës shqipe në familjet shqiptare dhe sidomos tek fëmijët në emigracion.
Znj.-Raimonda-Bardhi-mesuese
Znj. irena Cepele-Prind
Mesuese te shkolles shqipe Gjuha Jone
Një kremtim pune dhe gëzimi
Pasi nuk morëm asnjë përgjigje brenda afatit të kërkuar në ftesat e dërguara , temat e bashkëbisedimit i morën përsipër t’i përgatisn disa anëtarë të kryesisë së Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, mësues dhe prind të nxënësve të shkollës tonë. Përgatitjen e koncertit të fëmijëve e mori përsipër si përherë kompzitori i njohur, sidomos për këngët për fëmijë, zoti Hamdi Gjana. Për problemet e tjera të organizimit të një feste të tillë, çdo anëtar i kryesisë së shoqatës mori diçka përsipër dhe e kryen më së miri . Ja Oriola Suku,anëtarja më e re e kryesisë mori përsipër dhe realizoi me nivel profësional dizajnin e vkerësimit “Pishtar i gjuhës shqipe”, fletëpalosjen dhe pullën ngjitëse kushtuar kësaj ngjarje, nënkryetari i ri i Kryesisë së shoqatës Dritan Matraku me të tjerë, zgjidhi problemet e organizmit të darkës : “Bukë e kripë dhe zemër”, Bashkim Bërdufi mori përsipër riparimin e sallës së mbledhjeve etj. Kështu me radhë sekretari “veteran” i shoqatës Vlashi Fili, Bujar Gjoka, LlazarVero, Sadik Elshani, Suzana Vangjeli, Petrit Zanaj etj. dhe më i shqetësuari, kryetari i ri i shoqatës Tajar Domi , kishin nga një pjesë për realizimin me sukses të këtij përvjetori.
Dhe ja festa. Si rrallëherë salla e veprimtarive kulturore të shoqatës ishte kaq e mbushur. Njërëzit qëndronin edhe në këmbë. Disa kaluan edhe në ambientet e kafenesë që është në vazhdim të sallës dhe guzhinës. Ishin të gjithë brezat së bashku: gjyshërit, prindërit dhe fëmijët. Dhe salla e veprimtarive kishte disa ndryshime nga veprimtaria më e fundit e shoqatës. Në muret e saj kishte më shumë portrete të njërëzve të shquar të penës dhe fjalës së kombit tonë dhe portretet e presidentit të parë amerikan George Washington dhe të mikut të shqiptarëve presidentit Wodrow Wilson.
Ceremoninë e hapi Kryetari i Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, zoti Tajar Domi. Pasi falenderoi pjesëmrrësit dhe miqtë e ardhur nga larg, grupin muzikor të violinistit të shquar Zeqir Sulkuqi me këngëtaren e njohur Eglantina Toska dhe në tastierë pedagogun dhe pianistin nga Elbasani Ellis Lloshi, në emër të këshillit drejtues të shoqatës, ai u shprehu mirënjohjen e thellë sponsorizuesëve të komunitetit shqiptar në Filadelfia, familjes Risilia që me shumën e dhënë u bë e mundur blerja e kësaj ndërtese, të familjes Rrapi, të doktoreshës Silvana Çumani, Mexhit Kobaci etj., që në vite kanë mbështetur me bujari jetën e shoqatës dhe të shkollës shqipe. Më tej zoti Tajar Domi përshëndeti mësueset e shkollës,dhe sidomos mësueset e para të shkollës, Elvira Budo, Mirela Qirici, Mirjana Kina, Luljana Toshi etj.,që kanë punur vullnetarisht për tre vite me rradhë, gjithë mësueset, nxënësit dhe prindërit që kanë përcjell me dashuri gjuhën shqipe tek fëmijët. Pas kësaj fjale e kishin rradhën zërat fëminor të nxënësve të shkollës që kënduan këngën himn të shkollës me tituull: “Gjuha Jonë”, me tekst dhe muzikë të kompozitorit Hamdi Gjana. Emocione vërtetë të fuqishme percolli kjo këngë tek pjesëmarrësit.Të gjithë falenderonin kompozitorin-poet Hamdi Gjana dhe fëmijët e mrekullueshëm të shkollës Anxhelina Sali, vëllezërit Vjonis dhe Aris Ramizi, Vanesa Shehu, Nadija Sulçaj, Irini Ramizi, motrat Erona dhe Fijona Shurdhiqi, Emma Rama dhe vogëlushja Alba Sinani, për këtë këngë të bukur.
Violinisti Zeqir Sulkuqi
Kengetarja Eglantina Toska
Studente ish nxenes te shkolles shqipe Gjuha jone
Bashkëbisedimi për problemet e shkollës
Këtë bashkëbisedim e hapi zoti Llazar Vero, anëtar i këshillit drejtues të shoqatës, që është i ngarkuar nga kryesia e shoqatës për ndjekjen nga afër të jetës së shkollës. Pasi bëri një kthim pas në historinë e gjuhës shqipe dhe të sakrificave të mëdha që janë dashur të bëhen për ruajtjen dhe shkrimin e saj, duke nderuar veprën e martirëve të saj si Budi, Bogdani, Bardhi, dhe më afër, Naum Veqilharxhi dhe Kostandin Kristoforidhi, apo Papa Kristo Negovani e Petro Nini Luarasi, etj., ai theksoi se është i pandashëm ruajtja e identitetit kombëtar nga trinomi :”Gjuha shqipe – Shqipja në flamur – Shqipëria”.
Më tej ai vazhdoi: “Kështu, 10 vjetë më parë, në emër të Gjuhës Shqipe, Flamurit dhe Atdheut, ngritëm këtë faltore të vogël me emrin :Shkolla Shqipe “Gjuha Jonë”, ku kemi derdhur kaq mund dhe përkushtim, për t’u shërbyer qënieve më të pafajshme dhe më të bukura, fëmijëve të emigranyëve shqiptarë. E bëmë këtë sepse gjuha amtare është fizinomia dhe identiteti i një kombi, i një individi…… Asgjë më shumë nuk duam të bëjmë veç të çojmë në vend porosinë e Naimit të madh: “Gjuhë të tjera të mësojmë por gjuhën shqipe ta kemi zonjë”. Larg mburrjeve boshe, por duke e parë realitetin në sy, ligjëruesi theksoi se edhe kjo shkollë që ne e shohim me krenari, është vetëm një filiz, nje fillesë për ç’ka duam të bëjmë. Me një mesatare prej 50 nxënsish në vit , nuk ka vend për eufori. Dhe të mendosh se në Filadelfia jetojnë rreth 25000 shqiptarë, ose 5-6 mijë familje, kuptohet se sa i madh do të ishte numri i nxënësve në shkollat shqipe. Po në tërë Amerikën?!. Pa pritur as nga qeveritë shqiptare apo amerikane,vetë ne së bashku mund ta kthejmë në realitet këtë ëndërr, duke e çuar shkollën dhe mësuesin sa më afër fëmijëve. ” Ja, edhe në këtë ndërtesë që kemi sot,vazhdoi më tëj zoti Llazar Vero, mund te mësojnë 250-300 fëmijë çdo vit, duke shfrytëzuar të plota ditët e shtuna dhe të diela, dhe pse jo edhe të premten në mbrëmje.”
Mësuesja Rajmonda Bardhi ka vite që punon në këtë shkollë, pas një përvoje jo të shkurtër si mësuese e shkollës fillore në Shqipëri. Ajo vjen nga një familje mësuesish të respektuar nga rrethi i Fierit. Vetë ajo i përket brezit të tretë të tyre. Në diskutimin e saj ajo solli përvojën e saj si mësuese cilësore që punon me shumë dashuri me fëmijët. Përvojës së saj në Shqipëri ajo i ka shtuar tani edhe përvojën e saj si mësuese e fëmijëve emigrantë. ” Në punën tonë, krahas arritjeve,tha ajo, ka edhe të meta. Dhe ky është nënvlerësimi i mësimit të gjuhës amtare në familje së pari dhe punës më cilësore në shkollë nga mësuesit. Në këtë kuadër kërkohet një bashkëpunim dhe koordinim i punës midis mësuesve dhe prindërve. Duke u ndalur në punën që bëhet në shkollë me nxënësit krahas disa problemeve të mësimdhënies, ajo ngriti nevojën për më shumë orë në shkollë duke e shtuar kohën e mësimit të paktën edhe më nje orë më shumë në javë.. Në këtë mënyrë do të forcohet më shumë puna në trekëndëshin mësues-nxënës-prind.
Një nga problemet, apo më saktë justifikimet, që ngrihen nga prindërit që nuk sjellin fëmijët në shkollën shqipe dhe që nuk flasin shqip në familje është dhe pretendimi se mësimi i gjuhës shqipe i pengon fëmijët në mësimin e anglishtes. Rreth këtij problemi ishte përqëndruar diskutimi i sekretarit të shoqatës, zoti Vlashi Fili, i cili me shëmbuj nga jeta në shkollën tonë dhe më gjërë,solli fakte dhe argumente se sa i pavënd dhe bosh ishte ky qëndrim. ” Është argumentuar shkencërisht dhe vërtetuar në praktikë, që fëmija mund të mësoj disa gjuhë pa penguar njëra -tjetrën, – tha duke përfunduar diskutimin e tij zoti Vlashi Fili,- bile do të thosha se ato ndihmojnë njëra -tjetrën dhe zhvillimin mendor të fëmijës.”
“Prindi është kryesori për mësimin e gjuhës shqipe fëmijëve.” – ishte baza e diskutimit të zonjës Irena Çepele, nënë e një fëmije që ndjek shkollën shqipe të shoqatës. “Cila është arsyeja që edhe pse jetojmë në vendin më demokratik në botë, ku mundësia e zotërimit të më shumë se një gjuhe, diversiteti, si dhe gjithëpërfshirja inkurajohen dhe mirëpriten, fëmijët tanë të lindur në pjesën dërrmuese nga të dy prindërit shqiptarë, nuk flasin dhe lexojnë gjuhën e mëmës.? Le të harrojmë për një momënt natyrën dhe ndjenjat atdhetare- të cilat për shumë janë arësyeja themelore përse duhet t’u mësojmë fëmijëve shqip, dhe të përqëndrohemi në arsyet e tjera më praktike, të cilat janë të shumta por unë do të përmend disa”. Kështu, me një frymë debati shoqëror por edhe të argumentuar, zonja Irena Cepele, theksoi se përvetësimi i një gjuhe të dytë, ndihmon fëmojën në studimet shkollore, se gjuha e mëmës është një burim kryesor i përvojave personale për fëmijët, se gjuha amtare na lidh dhe bashkon me rrethin familjar dhe shoqëror, se nëpërmjet saj ne u tregojmë fëmijëve se trashëgimia jonë kulturore është pjesë themelore e ekzistencës sonë si komb, etj. Duke përfunduar,ajo tha se si nënë e dy vajzave, njëra prej të cilave fletë dhe shkruan shqip, dhe tjetra kupton pjesërisht por nuk flet rrjedhshëm, jam plotësisht e vetëdijshme për faktin që përgjegjsia për këtë bie pikërisht mbi ne, prindërit e saj.
Fjala e zotit Ivzi Cipuri, në këtë bashkëbisedim për problemet e ruajtjes së gjuhës shqipe tek fëmijët, ishte më tepër se një diskutim i thjeshtë, ishte një studim që argumentonte shkencërisht se mësimi anglishtes nuk iështë pengesë për mësimin e shqipes dhe se teknologjia moderne e lehtëson mësimin e gjuhës amtare. Duke sjellë shëmbuj nga komunitete të tjera që jetojnë në Amerikë dhe argumentimin shkencor nga shumë studiues të këtyre fushave ai solli për pjesëmarrësit një informacion të gjërë.
“Studimet kanë vërtetuar, theksoi zoti Ivzi Cipuri, përfitimet që vijnë nga mësimi i një gjuhe të dytë jo vetëm në zhvillimin e aftësive gjuhësore të nxënësve, por eshe për aftësitë njohëse – krijuese të tyre. Mësimi i një gjuhe tjetër në SHBA mbetet një domosdoshmëri për të gjitha moshat- nga parashkollorët deri në klasën e 12-të….”
Për të nderuar punën disavjeçare të mësueseve Shoqata “Bijtë e Shqipes” përgatiti vlerësimin “Pishtar i gjuhës shqipe”. Zoti Vlashi Fili, sekretar i shoqatës lexoi emrat dhe motivacionin për secilën mësuese, të shoqëruar me në tufë lulesh. Kjo ishte mirënjohja e shoqatës dhe gjithë komunitetit shqiptar në Filadelfia për punën e tyrë të çmuar në mësimdhënien e gjuhës shqipe tek fëmijët. Mësueset Elvira Budo, Mirela Qirici, Mirjana Kina, Luljana Toshi, Mimoza Priftanji, Lindita Hysko, Sotir Binjaku, Rajmonda Bardhi, Liljana Gaba, Nikoleta Papaj, Irini Zenelaj, Kozara Doko, Majlinda Tahiraj, Kësmete Begollari, Adelina Ramizi, duke falenderuar për nderin e bërë u zotuan për të punuar edhe më tej në shërbim të shkollës shqipe në emigracion.
Të pranishmit në këtë bashkëbisedim dhe festim të 10 vjetorit të Shkollës Shqipe “Gjuha Jonë” në Filadelfia, në fund i përshëndeti zoti Sadik Elshani, anëtar i Këshillit Drejtues të Shoqatës Atdhetare-Kulturore “Bijtë e Shqipes”. Pas një përmbledhjeje të shkurtër të kësaj veprimtarie ai tha: “Të shpresojmë se kjo veprimtari që zhvilluam sot, ky bashkëbisedim,do të na shërbej, do të na ndihmojë që t’i organizojmë, t’i basjkërendojmë përpjekjet dhe punët tona edhe më mirë duke i identifikuar problemet dhe sfidat me të cilat balafaqohemi dhe qasjet, masat që duhen marrë për ti kaluar këto pengesa. Kërkohet bashkëpunim dhe ndihmesa e të gjithëve.”
Pas këtyre fjalëve ai i ftoi pjesëmarrësit në koktejin tradicional:”Bukë e kripë e zemër”.
Më tej e kishte fjalë grupi muzikor “Egnatia”,me drejtues violinistin e njohur Zeqir Sulkuqi, këngëtaren Eglantina Toska dhe në tastierë, pianistin Elis Lloshi. Kënga dhe vallja popullore, pjesë klasike dhe popullore në violinë nga mjeshtri Zeqir Sulkuqi, mbushën orët e mbrëmjes jubilare.














