Presidenti Bujar Nishani do të nxjerrë nesër dekretin për përcaktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme lokale. Gazeta ‘Panorama’ ka mësuar se kreu i shtetit do të dekretojë të dielën e tretë të qershorit të vitit 2015, ditën kur do të organizohen zgjedhjet për bashkitë në të gjithë vendin.
Burime nga Presidenca bëjnë të ditur se kreu i shtetit i është referuar nenit 92 pika ‘gj’ e kushtetutës dhe nenit 10 të Kodit Zgjedhor, për të caktuar datën 21 qershor për mbajtjen e zgjedhjeve.
Ndërkohë, gjatë ditës së nesërme pritet të dalë edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese për kërkesën e Partisë Demokratike për rrëzimin e hartës së re territoriale. Në seancën e zhvilluar pak ditë më parë opozita pretendoi se ka të paktën pesë arsye që duhet rrëzuar harta me 61 njësi vendore. Ndërsa, sipas maxhorancës, në gjithë procesin e zhvilluar nuk ka pasur asnjë shkelje kushtetuese.