Nga Agron BERDAJ
Që populli ynë ka përjetuar deri në ekstrem prepotencën shtetërore kjo dihet nga të gjithë. Përballë kësaj të vërtete të dhimbshme, ai ka humbur më shumë lirinë, të drejtat kushtetuese, ato ekonomike, mundësinë për të qenë i barabartë në fushën e konkurencës së lirë dhe përpara ligjit. Por këtë prepotencë, jemi mësuar ta përjetojmë me zë të lartë, agresive, të dhunshme, të shoqëruar më rrënime ekonomike, me dënime e internime në kohën e diktaturës komuniste. Në kohën e demokracisë, kjo prepotencë shfaqet më e maskuar por vrasëse, sa edhe ajo e regjimit komunist, përmes urisë, politikave rrënuese ekonomike, sistemeve korruptive dhe tjetërsimit të pronave, përqendrimit të pushtetit ekonomik në duart e monopoleve duke përbuzur konkurencën e lirë. Por, të pataksur nga kjo lloj prepotence me zë të lartë e pushteteve shqiptare, në shumë raste nuk shikojmë ose nënvleftësojmë prepotencën me zë të ulët. Madje, kjo shpesh na duket e këndshme, një lloj mirësjellje shtetërore, një urtësi ku shteti apo pushtetari ulur gju më gju me popullin, realizon një prepotencë shembullore, saqë njerëzit shpesh mallëngjehen prej tyre, i mirëkuptojnë ata, preken në sedër nga premtimet e bëra duke pranuar me përulësi e kënaqësi mohimin e dhunimin e të drejtave të tyre. Pra, me këtë përulësi popullore, prepotentëve pushtetarë nuk u ngelet gjë tjetër veçse të përsosin metodën e ushtrimit të arrogancës, por natyrisht, ajo të bëhet gjithmonë, me zë të ulët.
Një nga kategoritë shoqërore që e ka provuar arrogancën shtetërore si me zë të lartë por edhe me zë të ulët, janë ish ushtarakët e dalë në lirim të parakohshëm. Me ta, papërgjegjshmëria shtetërore ka qenë e shkallës sipërore, shpërfillëse, poshtëruese, hakmarrëse, e dhunshme me qëllim denigrues ku gjithmonë ka marrë ngjyra raciste. Në emër të të ashtuquajturave reforma në ushtri, qeveria demokratike fshiu me fshesë të hekurt gjithë inteligjencën ushtarake, duke e zëvendësuar atë, me besnikët e partisë, të paaftë, pa kualitetet e duhura. Karshillëku i qeverisë së përmbysur nga populli në 23 qershor të vitit të shkuar, ndaj ushtarakëve në lirim, ishte tepër çnjerëzor, madje edhe më keq, sikur ata, ish ushtarakët, të ishin robër lufte, pasi edhe të tillë, do të kishin fituar disa të drejta minimale më shumë, nga statusi ndërkombëtar i trajtimit të robërve. Ndërsa qeveria e tyre, ata i hodhi si një send pa vlerë në rrugë, përbuzi vlerat dhe kontributin e tyre shoqëror, shkeli në mënyre flagrante ligjet dhe kushtetutën.
Kryemonarku i kësaj partie, sipas karakterit dhe stilit të tij hakmarrës e përçarës, me një prepotencë, me zë të lartë, kundërshtoi disa vendime gjykatash që u jepnin të drejtë ish ushtarakëve, madje edhe vendime të Gjykatës Kushtetuese. Me të njëjtën aktakuzë ndaj shtetit, me të njëjtin precedent ligjor, të njëjtin kallëzim, nga gjykatat ka vendime të ndryshme, tjetër për besnikët e partisë, për ata që kishin miq dhe shokë politikanë, biznesmenë apo gjykatës, dhe tjetra për ata që mbanin në dorë kryqin e perëndisë dhe që prisnin zgjidhje nga “shën drejtësia”.
Nëse ky parlament do të ketë vullnetin e mirë ta shqyrtojë këtë çështje, patjetër që do të njihet me skandale të vërteta, me dhunimin e ligjit, me metodat korruptive në drejtësi, me diskriminimin e qëllimshëm të ish ushtarakëve. Por, me sa po duket me ndërrimin e pushteteve, kjo kategori shoqërore po vazhdon të mbetet periferike në përkujdesjen shtetërore. Deri tani, e vetmja gjë që ka ndryshuar është mënyra se si shfaqet nënvleftësimi ndaj tyre. Nëse nga qeverisja e mëparshme, ajo tregohej përmes një arrogance plot zhurmë, një prepotence të tipit feudal, sot kjo arrogancë shfaqet me zë të ulët, më e butë, e maskuar me një sentimentalizëm prekës ndaj ish ushtarakëve, madje edhe duke u hedhur dorën në qafë, por pa u zgjidhur asgjë, pa mbajtur asnjë premtim, se as nuk është denjuar prej tyre të ndalojnë qoftë edhe penalitetet skandaloze të jashtëligjshme të qeverisë së mëparshme, ndaj tyre. Pas premtimeve të bujshme se rilindja me marrjen e pushtetit do ti zgjidhte hallet e tyre, dhe se do të vinte në vend ligjin dhe dinjitetin e nëpërkëmbur, të ish ushtarakëve, sot po ndodh e kundërta. Atyre, ndryshe nga kategoritë e tjera shoqërore, u kërkohet të jenë më të durueshëm, të bëhen më patriotë se ç’janë, të presin edhe ca se arka e shtetit është gjetur bosh. Pra, as më shumë e as më pak, atyre u kërkohet të shtrëngojnë rripin, të flijohen, por këtë radhë në emër të fitores të së majtës, të rilindjes.
Nuk e di se si, Ju gjenerale, Kodheli e nisni ditën e punës, por thonë se strategët dhe politikanët e mëdhenj ushtarakë, gjënë e parë që bëjnë, është leximi i raportit të gjendjes moralo-politike të efektivave që ata drejtojnë. Ju nëse e bëni këtë, nuk ju ka rënë ndonjëherë në sy, se jetëgjatësia e ushtarakëve është më e ulëta e shoqërisë, se ata më tepër se dy të tretat e jetës i kanë kaluar me shërbime dhe larg familjes, se me mijra ushtarakë ndahen nga jeta për shkak të sëmundjeve profesionale, madje edhe në moshë të re, se në emër të detyrës ata kanë privuar jo vetëm liritë e tyre, por edhe të familjeve dhe fëmijëve duke shërbyer në majat e maleve, ku dhe shqiponja e kishte vështirë të bënte folenë. A e dini ju, zonja ministre se sa ushtarakë janë ndarë nga jeta, nga koha kur ju drejtoni këtë dikaster? Po nga vitet ‘90 e këtej? Nëse do ti njihnit këto fakte, vështirë se do të ishit kaq indiferente. Me këtë mospërfillje që edhe ju po tregoni, nuk do të jetë e largët dita që do të mbeteni si gjenerali i ushtrisë së vdekur, ju mbi dhe e armata e ish ushtarakëve nën dhe. E vlerësuar nga qeverisjet e deritanishme, një barrë e rëndë për shoqërinë, e vlefshme vetëm përballë kutisë së votimit. Rilindja u thotë ish ushtarakëve, të presin se ditë më të mira do të vijnë për ta, por të njëjtën gjë atyre nuk u thotë hadesi i cili troket në derën e tyre, pa i pyetur, pa u thënë se e kanë marrë apo jo, pensionin e premtuar nga Rilindja. Natyrisht se ish ushtarakët nuk kanë nevojë për sentimentalizëm e për lëmosha. Ata kanë nevojë të respektohet ligji nga shteti, t’u jepet ajo që u është mohuar dhe grabitur padrejtësisht. Dëgjohen zëra se problemet e ish ushtarakëve do të zgjidhen me ligjin e ri të siguracioneve shoqërore. Ashtu qoftë, por gjasat janë se do të kemi të bëjmë më shumë me një manovër të qeverisë, me hedhjen e disa thërrimeve për ish ushtarakët, ku më shumë se të zgjidhet problemi, kërkon tu mbylli gojën, atyre. Hapsira e ligjit të siguracioneve nuk mund të përfshijë të gjitha problemet e fituara me ligj nga kjo kategori shoqërore, por të dhunuara nga qeveria e mëparshme. Pastaj, kontrata parazgjedhore me Rilindjen, nuk ishte kjo që po dëgjojmë tani, por zgjidhja tërësore e problemeve menjëherë, por edhe në perspektivë. Atëherë, pse mungojnë këto projekte në dikasterin e Mbrojtjes, pse ky nënvleftësim ndaj premtimit të bërë, pse kjo heshtje?
A nuk është kjo pjesë e prepotencës me zë të ulët? Ndoshta, gjeneralja Kodheli nuk e shikon të arsyeshme ti lexojë këto rreshta, ca më shumë të japi edhe ndonjë përgjigje, por të paktën në respekt minimal të ish ushtarakëve, i rekomandoj të rishikojë komedinë “Një baba tepër”. Atje, zonja gjenerale flitet me mjaft vërtetësi për poshtërimin e ushtarakëve në pension nga shteti. Një gjeneral i lavdishëm në shërbim ndaj atdheut, në skamje në pension, në kohën kur shteti duhet ti shërbente atij. I braktisur nga shoqëria dhe familja, i dhunuar nga gjeneralizmi shtet, ku ai, bashkë me gjeneraleshën, të kapur dorë për dore, nisen drejtë fundit të detit, drejtë ferrit të nëndheshëm, për të shpëtuar nga një ferr po kaq mizor, ferri i poshtërimit shoqëror. Zonja gjenerale, pak rëndësi ka se si shfaqet prepotenca ndaj ish ushtarakëve, me zë të lartë apo me zë ulët, nga qeveria e kuqe, blu apo rozë, në përmbajtje është e njëjtë. Ajo dhunon dhe rrënon, nëpërkëmb të drejtat e një kategorie shoqërore njerëzish, siç janë, ish ushtarakët.















