Shkruan: Roland Lami
Ngjarjet e përsëritura gjatë këtyre viteve në adresë të mungesës së kulturës së moszbatueshmërisë së ligjit na kanë shtyrë të besojmë se funksionimi në jetën e përditshme si praktikë i shtetit të së drejtës ka dështuar, pavarësisht se formalisht kemi adoptuar praktikat më të mira të së drejtës evropiane. Ky konkluzion është përforcuar nga të dhënat e publikuara në raportet e përvitshme të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare, ku evidentohet shkalla e ulët e kulturës së zbatueshmërisë së ligjit. Për fat të keq, zgjidhja e këtij problemi nuk varet shumë nga modelet që ofrohen nga BE, por nga normat kulturore dhe sociale që kemi ndërtuar si shoqëri në vite. Janë këto norma shoqërore të pasqyruara në mendjen e individit apo grupit që përcaktojnë atë çfarë konsiderohet korrupsion, shkelje ligji, veprim imoral dhe në fund të fundit, përcaktojnë edhe suksesin e zbatimit me rigorozitet të sanksioneve dhe mbikëqyrjes, si dhe të masave organizative dhe ligjore në drejtim të parandalimit të tyre. Njerëzit janë ata që duke imituar njëri-tjetrin, kanë përvetësuar gjatë një procesi të gjatë socializimi vlera të familjes, grupit dhe të shoqërisë. Janë pikërisht këta faktorë që i shtyjnë disa sociologë të së drejtës ta konceptojnë shkallën e ulët të zhvillimit të shtetit të së drejtës si një shtrembërim “patologjik i detyrimeve normative”.
Pasi këto norma shoqërore të pasqyruara në mendjen e individit apo grupit përcaktojnë atë çfarë konsiderohet korrupsion, shkelje ligji, veprim imoral dhe në fund të fundit, përcaktojnë edhe suksesin e zbatimit me rigorozitet të sanksioneve dhe mbikëqyrjes, si dhe të masave organizative dhe ligjore në drejtim të parandalimit të tyre.
Ky aspekt kulturor ka përcaktuar sjelljen shoqërore tek ne, e cila në jo pak raste bie në kontradiktë me frymën e normave ligjore të huazuara nga vende me demokraci të konsoliduar. Tendenca që nëpërmjet ligjit të ndërtohet një realitet tjetër kulturor nga ai që është aktualisht ka dështuar, pasi njerëzit e kanë interpretuar ligjin nisur nga kultura që posedojnë ata dhe jo nga kultura që imponon ligji. Kjo ka bërë të mundur që tradita e re që kemi synuar të ndërtojmë nëpërmjet ligjit të kërkojë kohë të zëvendësojë traditën aktuale. Pra që shoqëria t’i respektojë përgjithësisht ligjet jo për shkak të frikës së sanksionit, po për shkak të një ndjenje detyrimi që buron nga respekti që kanë qytetarët ndaj ligjshmërisë dhe autoritetit të ligjshmërisë. Në këto kushte, mbetet ose të pritet që një vetëdije e tillë të ndërtohet së brendshmi, pra sistemi i vlerave që kemi aktualisht të vijë në nivelin që e kërkon fryma e ligjeve që adoptojmë nga BE, ose duhet të gjejmë zgjidhje brenda sistemit vleror që kemi ndërtuar, pra të gjejmë ato praktika të mira që në disa raste sjellin rezultat.
Pikërisht instalimin e logjikës së imponimit të frikës që ka zgjedhur qeveria për të rregulluar situatën e respektimit të qarkullimit rrugor dhe faturimit të energjisë elektrike, e shikoj si një tentativë që mbështetet tek disa praktika të kulturës sonë. Praktika që lidhen me kulturën e frikës. Masa që janë të papërshtatshme me sistemin politik që kemi zgjedhur, praktikat e vendeve të BE-së apo të drejtat universale të njeriut, mirëpo japin rezultat brenda një kohe të shkurtër. Masa që në thelb bazohen tek krijimi i kulturës së frikës jo i ndërgjegjes, pasi i detyron njerëzit të modifikojnë sjelljet dhe qëndrimet e tyre brenda një periudhe të shkurtër në kundërshtim me atë që besojnë. Kjo ka qenë kultura e sistemit diktatorial që u instalua tek ne, e cila përtej disa praktikave të dënueshme nga pikëpamja e të drejtave të njeriut, impononte tek njerëzit edhe disa praktika të mira. Njerëzit duke ditur shkallën e penalitetit për disa veprime, detyroheshin të tejkalonin veten për të mos u ndëshkuar. Pikërisht kjo po synohet nga qeveria që, nëpërmjet shumëfishimit të masës së penalitetit financiar, të fusë kulturën e frikës si mënyrë e ndryshimit të situatës.
Shqetësimet që ngrihen në këtë rast janë që praktika të tilla të mos na kthehen në model për aspekte të tjera të jetës shoqërore, pasi rrezikohemi të kthehemi në një periudhë jo të largët në një shtet autoritar dhe ajo që është më e rëndësishmja, të shpresojmë që masa të tilla të shërbejnë në ndërtimin e kulturës së brendshme të njerëzve, që të kuptojnë se për të respektuar ligjin nuk është e nevojshme t’i referohemi frikës por arsyes, pasi vetëm kështu jemi të gjithë të mbrojtur.
















