Dorjana Bezat
Në mbyllje të vitit 2014 bilanci i Bashkisë së Tiranës nuk është aspak pozitiv. Premtimi për përmirësimin e jetës së qytetarëve nuk është mbajtur, për shkak të mosbashkëpunimit mes njësive bashkiake, edhe Bashkisë së Tiranës. Në një intervistë për “Shekulli”-n, anëtari i Këshillit Bashkiak, Florian Pullazi, tregon premtimet e pambajtura të Bashkisë së Tiranës. Ai ngre si problem politizimin e strukturave të Bashkisë, mungesën e investimeve në rrugë, pa lënë mënjanë politikat e gabuara për punësim. Sipas tij, sot Tirana është larg qytetit evropian të premtuar dikur nga Lulzim Basha.
Zoti Pullazi, sipas jush sa ka qenë pranë qytetarëve Bashkia e Tiranës gjatë këtij viti?
Bashkia nuk ka qenë fare pranë qytetarëve të Tiranës. Shumë gjëra u diskutuan edhe në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak para pak ditësh, ku u nxorën në pah mosrealizimet e saj. Bashkia ka dështuar me premtimet që ka dhënë për vitin 2014. Këtë besoj se e tregoi më së miri edhe prezantimi i buxhetit, nga ana e nënkryetarit të Bashkisë. Ndërkohë që kryetari i saj ka dy vjet që nuk merr pjesë në mbledhjet e këtij këshilli. Buxheti ishte i zymtë, sepse shumë premtime të bazuara tek ai nuk janë mbajtur.
Ju përfaqësoni njësinë bashkiake nr. 2 në Këshillin Bashkiak. Si është niveli i bashkëpunimit të Bashkisë së Tiranës me njësitë bashkiake në përgjithësi?
Këtë si çështje ne e kemi ngritur disa herë në mbledhjet e Këshillit Bashkiak kur janë miratuar buxhetet. Fatkeqësisht ka pasur një bashkëpunim shumë të ulët midis Bashkisë së Tiranës, edhe të kryetarëve të njësive bashkiake, sidomos me atyre që përfaqësojnë një forcë tjetër politike. Nga konsultimet që kam pasur me kryetarët e njësive bashkiake, kam marrë informacionin se ata kanë hasur në një barrierë shumë të madhe nga administrata e Bashkisë. Kjo marrëdhënie ka ndikuar drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve, sepse ka munguar koordinimi dhe fondet për zona të caktuara të Tiranës. Kjo luftë politike ka nisur nga kryetari i Bashkisë, sepse ai propozon dhe jep fonde për zona të caktuara. Po përmend vetëm një aspekt; bibliotekat. Në njësitë e majta ato nuk janë rikonstruktuar dhe janë lënë pas dore. Ndërkohë që ky ishte një premtim i Lulzim Bashës, që nuk është mbajtur. Po ashtu mund të themi edhe për ambientet sportive. Madje edhe ato që kanë ekzistuar, janë degraduar për mungesë fondesh dhe vizioni nga ana e Bashkisë.
Si paraqitet infrastruktura në Tiranë?
Gjendja infrastrukturore e Tiranës është shumë e keqe. Kemi shumë rrugë që sot kanë dalë jashtë funksionit të tyre. Kemi rrugë që kanë nisur të rikonstruktohen para dy viteve dhe ende nuk kanë mbaruar. Në këto kushte kemi bllokime të herëpashershme të trafikut për shkak të infrastrukturës së dobët. Një tjetër problem është edhe ai i parkingjeve. Menaxhimi i parkingjeve me pagesë, në gjykimin tim është një objekt që duhet të merret edhe prokuroria. Dëshmi për këtë janë shifrat minimale që u dhanë gjatë miratimit të buxhetit faktik të vitit 2013.
Po për hapësirat publike dhe menaxhimin e tyre ç’mund të themi?
Hapësirat publike në Tiranë gjatë vitit 2014, pushuan së qeni të tilla. Situata doli jashtë kontrollit. Për t’u përshëndetur është aksioni i fundit i INUK-ut. Nga ky aksion u liruan hapësira nga ndërtime pa leje dhe iu vunë në shërbim të qytetarëve. Ata kryen një punë që duhej bërë nga strukturat e Bashkisë. INUK mundësoi rikthimin në normalitet të Bashkisë së Tiranës.
Si e gjykoni ju dhënien e lejes së ndërtimit për një objekt 17-katësh te Diga e Liqenit nga ana e Bashkisë së Tiranës?
Nuk kam një informacion të plotë për këtë çështje megjithëse jam interesuar. Mendoj se për Tiranën vendimi i duhur është të ruhen sa më shumë hapësira të gjelbra. Organet kompetente duhet të marrin informacionin e duhur për këtë çështje. Qytetarët e Tiranës u mashtruan dy herë nga kryetari i Bashkisë. U mashtruan kur ai u mori votën duke i siguruar se hapësirat e gjelbra nuk do të prekeshin dhe se ato o të zgjeroheshin më shumë. Sot kemi zënie të hapësirave publike dhe shndërrimin e tyre në sheshe ndërtimi. Besoj se duhet të kishte më shumë transparencë për objekte të tilla që prekin drejtpërdrejt interesin e qytetarëve.
Aktivitetet
Sa hapësirë kanë pasur aktivitetet kulturore dhe sportive këtë vit?
Shifrat janë qesharake. Tirana gjatë këtij viti aktivitetet e kësaj natyre kanë qenë minimale ashtu siç kanë qenë edhe fondet e caktuara për to. Jeta kulturore në kryeqytet nuk të ofron gjë, megjithëse në Bashki ka njërës që paguhen për të krijuar aktivitete. Sot në Tiranë përveç atij tregut të improvizuar në rrugën Toptani, që njihet si pedonalia, nuk ka asnjë aktivitet tjetër. Ai treg i krijuar në atë mënyrë dhe ato kushte, është qesharake të qëndrojë në mes të Tiranës. Ne kemi prej tre vjetësh që e ngremë zërin për këtë çështje. Përveç kësaj Bashkia nuk bën transparente të ardhurat që përfiton nga ky aktivitet. Po ashtu mund të përmend edhe zbukurimin e qendrës së qytetit për vitin e ri. Është viti i tretë që Bashkia nxjerr të njëjtat zbukurime dhe përsëri nga buxheti i Bashkisë lëvrohen 150 milionë lekë, për diçka që ekziston.
Pretekstet e Bashkisë për mosmbajtjen e premtimeve
Cilave premtime iu referoheni si të pa mbajtura?
Që në hyrje të buxhetit thuhej se do të përmirësohej jeta e qytetarëve të Tiranës, gjë që nuk u arrit. U premtua rehabilitimi i shumë kopshteve dhe shkollave, por as kjo nuk u bë realitet. Po ashtu mund të flasim edhe për hapësirat publike dhe ambientet e përbashkëta, të cilat nuk mirëmbahen si duhet. Këtë vit Tirana ka pasur edhe probleme me pastrimin. Madje edhe në qendër të saj, dhe në bllok ka pasur mjaft probleme. Kjo situatë është jashtë çdo standardi dhe në këto kushte Tirana nuk mund të quhet një qytet evropian. Një tjetër premtim i pambajtur i Lulëzim Bashës është se, ai kur u vendos në krye të Bashkisë të Tiranës me 10 vota plus, tha se do ta mbante Bashkinë larg politikës. Por, tani shohim se kjo nuk është e vërtetë. Sot kryetari i Bashkisë është edhe kryetari i PD-së çka dëshmon qartë tradhtinë e tij. Sot Bashkia është e mbushur me militantë të djathtë dhe nuk dihet nga kush drejtohet. Sot Bashkia është bërë strukturë e Partisë Demokratike. Mendohet vetëm për kryetarin dhe jo për qytetarin.
Sa qëndron pretendimi i Bashkisë së Tiranës së premtimet nuk u mbajtën për shkak të bllokimit të buxhetit?
Bashkia e Tiranës ka tentuar disa herë të mos mbajë përgjegjësi për dështimet e saj. Ka nxjerrë si pretekst mosmiratimin e buxhetit për vitin 2014. Këto janë thjesht justifikime. Ky nuk qëndron si argument. Administrata e saj ka qenë e paaftë të mbledhë fondet me anën e zyrës së tatimeve që ka Bashkia dhe t’i implementojë ato. Kur miratuam buxhetin faktik të 2013 u pasqyrua shumë qartë inefiçenca e Bashkisë së Tiranës.
Si e gjykoni ju ri-premtimin e projekteve të mëdha si: trami, bulevardi i ri dhe rehabilitimi i lumit të Tiranës për vitin e ardhshëm?
E ndoqa me vëmendje prezantimin e punëve të bëra në 2014-ën nga Lulëzim Basha. Fatkeqësisht nuk pashë asgjë të re. Ishin vetëm përsëritje të premtimeve që janë bërë në fushatë. Bashkia këto premtime nuk i ka mbajtur dhe nuk besoj se do i mbajë ndonjëherë. Por, këto nuk duhet të përdoren ende si kalë beteje nga ana e Bashkisë. Po përmend këtu kartën e studentit të cilin Bashkia e Tiranës e përmend si një premtim të mbajtur, gjë që nuk është aspak e vërtetë. Bashkia nuk e ka në objekt të saj qytetarin në përgjithësi dhe studentin në veçanti. Çdo gjë tenton ta shtyjë në debatin politik, duke anashkaluar kështu premtimin që iu dha studentëve.















