Dy ditë pasi opozita e denoncoi si debitor me faturat e dritave, policia ka arrestuar drejtorin e OSHEE–së së Tropojës, Rustem Gjonaj, i cili dyshohet për vjedhje të energjisë. Por, veç arrestimit të tij, po dje ka dhënë dorëheqjen edhe kreu i OSHEE-së për Qarkun e Kukësit, ku sipas të dhënave, mendohet se ka pasur mosmarrëveshje me drejtorin e ri të përgjithshëm, i cili zuri vendin e Seferit.
Arrestimi
Sipas të dhënave zyrtare, drejtori i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë në Tropojë, Rustem Gjonaj, është arrestuar nga policia dje, pasi u zbulua se vidhte energjinë elektrike. Arrestimi i tij erdhi në kuadër të operacionit të përbashkët mes OSHEE dhe Policisë së Shtetit për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike, aksion i cili ka nisur në të gjithë vendin. Veç Gjonajt, policia tha se ka arrestuar edhe dy elektricistë. Emri i Gjonajt u denoncua disa ditë më parë nga Partia Demokratike për fatura të pashlyera të energjisë elektrike në vlera të mëdha. Sekretari i Përgjithshëm i PD, Arben Ristani, tha se kreu i OSHEE në Tropojë kishte 16 milionë e 900 mijë lekë energji të papaguar. Ristani akuzoi se Gjonaj ka pasur edhe një të kaluar problematike, ku, sipas tij, është dënuar për armëmbajtje pa leje, dhe largim nga vendi i qëndrimit. Më herët për vjedhje të energjisë elektrike janë arrestuar edhe drejtori i OSHEE-së, Has, Sulejman Brati, ai i OSHEE-së në Lushnjë, Dine Aliaj, si dhe i Mallakastrës, Arben Myftaraj.
Dorëheqja
Menjëherë pas arrestimit të drejtorit të Tropojës mësohet se dje ka dhënë dorëheqjen edhe drejtori i OSHEE-së në Kukës. Sipas të dhënave, dorëheqja e kreut të përgjithshëm të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, Arben Seferi, është pasuar edhe nga dorëheqja e kreut të OSHEE-së për Qarkun e Kukësit, Astrit Cengu. Ky i fundit ka lajmëruar vetë për dorëheqjen, teksa ka sqaruar se ka pasur mosmarrëveshje me kreun e ri të OSHEE-së, Ardian Çela, i cili u emërua pak ditë më parë në këtë post në vend të Seferit. Qarku i Kukësit është radhitur ndër më problematikët sa u përket lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike, teksa performanca e Cengut ka qenë pozitive sa i përket rritjes së arkëtimeve. Vetë Astrit Cengu ka pohuar se nëpërmjet një deklarate për mediat në vijim do të japë më shumë informacion për dorëheqjen e tij. Po ashtu, Cengu ka rënë pre e sulmeve vandale gjatë aksionit kundër vjedhjes së energjisë elektrike. Pak javë më parë, Astrit Cengu është tentuar të vritet, pasi kërkoi të ndërpriste energjinë ndaj një biznesi debitor. Policia tashmë ka arrestuar personat që e sulmuan me armë Cengun. Drejtori rajonal i Kukësit në OSHEE, Astrit Cengu, është qëlluar me pistoletë nga disa persona, në momentin që specialistët e OSHEE do të ndërhynin për të shkëputur linjën e furnizimit me energji elektrike në një subjekt privat. Për momentin ka pasur një konflikt të ashpër mes drejtorit rajonal të Kukësit, Astrit Cengu, dhe pronarëve të këtij biznesi dhe më vonë, zyrtari është qëlluar me armë.
Operacioni
Por, krahas arrestimeve të drejtorëve të OSHEE, ku me rastin e djeshëm bëhen katër të tillë, operacionet e policisë vazhdojnë punën e përbashkët në të gjithë vendin për evidentimin dhe vënien para drejtësisë të autorëve të vjedhjes së energjisë elektrike si dhe për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme. Vetëm dje, policia ka evidentuar 30 raste të vjedhjes së energjisë elektrike me 30 autorë. Nga këta janë arrestuar në flagrancë 17 persona, të cilët dyshohen për vjedhje të energjisë elektrike. Po ashtu janë shpallur në kërkim 5 persona, ndiqen në gjendje të lirë 8 persona të tjerë dhe janë ndërprerë 1.175 lidhje të paligjshme të energjisë dhe abonentëve debitorë. Po gjatë ditës së djeshme janë kontrolluar 119 kabina elektrike dhe abonentët që furnizohen nga këto kabina.
















