Nga Dardan Mustafaj
Fakti që shteti po jep me koncesion shumë shërbime, agjenci dhe ente publike, do të thotë se ai ka dështuar plotësisht. Dardan Mustafaj shkruan se tashmë mbetet vetëm dhënia e vetë shtetit me koncesion.
“Ku ishit dhe çfarë po bënit në datën 20 janar 2016?”
Një dëshmi përpara një gjyqi që nuk do të mbahet kurrë…
Unë, Dardan Mustafaj, lindur më…. i biri …. banues në …. thirrur si dëshmitar në procedimin penal për hetimin e ngjarjes së 20 janarit 2016, deklaroj se:
Në datën 20 janar 2016, pasi përfundova gjyqin që kisha atë mëngjes në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, u ula në një kafene në krah të gjykatës, që të prisja shoferin që do të më kthente në zyrë.
Në një qoshe të errët kishte një televizor të ndezur, i cili transmetonte një kanal informativ, ku edhe lexova lajmin e ngjarjes: “Tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH) do të jepet me koncesion”!
Duhet të pranoj që u trondita dhe nuk më besohej që kishte ndodhur! Ishte një ngjarje tejet e rëndë! Qeveria që po jep këtë koncesion është një qeveri e majtë (pra, filozofikisht, jo në favor të privatizimeve apo koncesioneve), e cila deklaron nga mëngjesi deri në darkë që është ajo Qeveri që ka kthyer dinjitetin e shtetit, është ajo që ka rritur të ardhurat nga tatimet, ka luftuar informalitetin, madje është edhe “leader në ballkan për reformat”, pra e thënë shkurt, kjo qeveri është më e afta dhe më e mira që kemi pasur ndonjëherë!
Mirëpo, ajo që po shihja nuk më kuadronte me këto që thashë më lart, a më kuptoni? Koncesioni jepet në ato fusha e në ata sektorë që shteti nuk ka aftësi menaxheriale apo financiare për t’i bërë vetë, prandaj përderisa nuk ia del dot ta bëjë vetë, atëherë është i detyruar t’ia japë një privati, i cili do ta ndërtojë, do të nxjerrë investimin e tij dhe pas një periudhe të caktuar do t’ia kalojë përsëri shtetit. Prandaj quhet “koncesion” (latinisht “concessionem” të lëshosh) sepse shteti lëshon, pra heq dorë për njëfarë kohe, nga e drejta e tij sovrane. Thënë ndryshe, Koncesioni është një pranim dështimi nga ana e shtetit, i cili pranon dështimin e tij për të arritur diçka dhe i lutet privatëve ta ndihmojnë me njohuritë e tyre dhe me financat e tyre. Prandaj nuk më kuadronte! Si mundet që qeveria jonë e cila është më e mira, më reformatorja në Ballkan, më efektivja etj. të deklarojë njëkohësisht që ka mundur informalitetin duke rritur të ardhurat tatimore dhe po në të njëjtin komunikim të thotë që do të japë me koncesion (pra të pranojë dështimin e saj) procedurën e mbledhjes së një takse aq thelbësore siç është TVSH mendova? Mbeta i habitur nga kjo kontradiktë!
Koncesione mund të jepen në fusha ku shteti nuk ka ekspertizën apo financat por në rastin konkret, kemi si financat si ekspertizën pasi shteti ynë mbledh taksa prej një shekulli dhe ka një administratë tatimore me të gjithë arsenalin e duhur duke filluar nga ekspertët e deri tek policia tatimore. Pse u dashka paguar një privat për të bërë punën e këtyre nëpunësve publikë, mendova? Fundja, një gjë e tillë është tentuar më parë tek doganat me “Crown Agents” dhe dështoi, pse kësaj here do të ketë sukses?
Nëse japim me koncesion funksionet që janë vetë esenca e shtetit tonë atëherë nuk kemi më nevojë për shtetin mendova! Nesër, përballë rritjes së kriminalitetit do t’u japim me koncesion ruajtjen e rendit kompanive private, po kështu për ushtrinë, gjykatat (përderisa kemi dështuar edhe këtu) etj…
Ja pra, çfarë pashë… Pashë një hap të mëtejshëm drejt pakësimit dhe rrënimit të shtetit Shqiptar aq të dëshiruar nga rilindësit e vërtetë, ata të shekullit të kaluar. Pashë indiferencën e bashkëqytetarëve të mi në kafene të cilët, ndoshta të mësuar me të keqen tashmë, nuk duan të luftojnë për këtë vend pasi sido që të venë punët kanë futur letrat në lotarinë amerikane apo në ambasadën e filan vendi sepse kanë familjar në filan vend. Pashë edhe indiferencën e atyre që nuk preken në asnjë rast pasi “kanë miq” dhe “do e zgjidhin problemin sido që të vijë puna”.
Po bëhen 70 vjet që qeveritarët tanë tallen me ne duke na ushqyer, me garuzhde, me të “vërtetën” e tyre plot kontradikta dhe iluzione mbi Shqipërinë fanar të botës, superfuqi të vogël me rritjen ekonomike më të madhe se të Gjermaninë dhe leader në Ballkan për reforma dhe për piktura në një kohë që shumë prej nesh vuajnë edhe për bukën e gojës dhe gjyshet tona, pasi janë robtuar tërë jetën, mezi blejnë ilaçet e skaduara dhe vdesin të vetme nga të ftohtit se nuk kanë lekë të paguajnë dritat!
Ky është një ndër problemet e vërteta të vendit tonë, banohet nga shumë njerëz të cilët nuk e shohin të ardhmen e tyre këtu dhe/ose nuk u intereson dhe nuk duan të përballen, thjesht për parime, me shtetarët. Azilkërkuesit në masë janë prova më e qartë e këtij fakti.
Atëherë, çfarë ngelet? Kush ngelet për ta bërë Shqipërinë dhe shtetin shqiptar? Sigurisht, ndërkombëtarët, prej të cilëve presim që ta duan vendin tonë më shumë nga ç’e duam ne!
Unë si dëshmitar i kësaj ngjarjeje, këto pashë, dhe shpresoj se kjo dëshmi do arrij që të paktën të ndërgjegjësojë e shkundë sadopak bashkatdhetarët e mi.















