Tre persona janë arrestuar ditën e djeshme në Tiranë, pas një sherri mes kyshërinjve të parë, konkretisht djemve të xhaxhallarëve dhe më pas mes prindërve të tyre. Sipas Policisë së Tiranës, të arrestuarit janë Shkëlqim Aga 37 vjeç, Xhevdet Aga 61 vjeç me detyrë trup shërbimi pranë stacionit të Policisë Farkë Komisariati Nr.1 dhe 61-vjeçarja V.Aga.
Ndalimi i këtyre shtetasve u bë pasi, më datë 15.05.2016, në Farkë të Madhe, shtetasi H. Aga, duke udhëtuar me mjetin e tij, pranë xhamisë në Farkë të Madhe, është goditur nga mbrapa nga mjeti tip “Audi”, me drejtues shtetasin Shkelqim Aga (kushërinj të parë), ku më pas janë konfliktuar me mjete të forta, si pasojë H. Aga është dërguar në SQUT, për mjekim.
Shkelqim Aga, i biri i Xhevdet Agës, ka shkuar në banesën e tij dhe ka marrë një armë zjarri tip automatik dhe ka shkuar tek banesa e shtetasit A. Aga, babai i të dëmtuarit (vëllai i Xhevdetit).
Pas konfliktit verbal me A. Aga dhe bashkëshorten e tij shtetasen S. Aga, ka qëlluar me armë muret rrethuese të baneses së A. Aga dhe është larguar.
Më pas ka vijuar konflikti midis shtetasve Xhevdet Aga me të vëllain A. Aga dhe nusen e tij S. Aga, ku kjo e fundit është dhunuar fizikisht nga Xhevdet Aga.
Nga hetimet e kryera si dhe nga kqyerja e vendit të ngjarjes është faktuar se shtetasja V. Aga (e jëma e shtetasit Shkëlqim Aga), ka mbledhur gëzhojat e armës në vendin e ngjarjes dhe ka bërë fshehjen e tyre.
Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar:
– një armë zjarri tip kallashnikov me dy krehëra dhe 21 copë fishekë.















