| Mediat zbardhin sot planet e qeverisë për uljen e ndotjes së mjedisit. Bëhet fjalë për një program financimi për blerjen e mjeteve me kilometrazh zero dhe rritje e taksave. Pra, do të thellohet diferencimi në taksim për mjetet sipas vjetërsisë.
Qeveria ka në plan që të nxjerrë jashtë qarkullimit automjetet e para vitit 1995, me synimin e uljes së ndotjes në mjedis. Ky propozim, i cili ende mbetet i padefinuar deri në fund mund të prekë jo pak, por mbi 20 mijë njerëz. Në vendin tonë parku i mjeteve mbetet relativisht i vjetër, duke sjellë si pasojë emetimin e karbonit në nivele relativisht të larta. Në këto kushte, tri janë propozimet e bëra: e para, ajo e heqjes së pjesës më të vjetër të parkut të mjeteve; e dyta, zgjerimi i diferencimit në taksim sipas viteve të mjetit; e treta, program për nxitjen e blerjes së mjeteve të reja. |
















