Instituti i Shëndetit Publik ka kryer një studim lidhur me shëndetin mendor dhe mobilitetin e të moshuarve, nga i cili ka rezultuar se rreth 47% e grave dhe 30% e burrave të moshës 65-75 vjeç në vendin tonë kanë shenja të depresionit. Ndërsa shumica dërrmuese e tyre janë të diagnostikuar me të paktën dy apo më shumë sëmundje kronike. Të dhënat i përkasin studimit IMIAS, i kryer nga Instituti i Shëndetit Publik, të cilat janë bërë publike në Ditën Botërore të të Moshuarve. Sipas studimit, sëmundjet kronike, depresioni, disabiliteti dhe performanca fizike paraqitet shumë më keq te femrat e moshuara krahasuar me meshkujt. Por, më e rëndë situata duket se është te 22% e grave dhe 12% e burrave të moshuar, të cilët kanë 4 ose më shumë sëmundje kronike (përfshirë hipertensionin). Po ashtu, në Tiranë vërehet një prevalencë mjaft më e lartë e sëmundjeve kronike, depresionit dhe disabilitetit, krahasuar kjo me vende të zhvilluara. Një tjetër e dhënë tregon situatën e rënduar në të cilën ndodhen të moshuarit lidhet me disabilitetin (vështirësinë për të ecur pa ndihmë për 400 metra apo për të ngjitur një palë shkallë). Sipas studimit, ai u vu re në 40% të meshkujve dhe 65% të femrave, ndërkohë që 18% e të moshuarve kanë pasur një rrëzim gjatë vitit të kaluar dhe prevalenca e atyre rrëzimeve që kërkojnë shtrim në spital është më e lartë në Tiranë se në vende të tjera (36%). Përpunimi i të dhënave tregoi gjithashtu se mes të moshuarve, përdorimi i anksiolitikëve (të tillë si valiumi) është mjaft popullor dhe ka zëvendësuar gabimisht përdorimin e antidepresivëve, të cilët përdoren pak ose aspak, edhe pse mund të jenë mjaft të dobishëm. Ndërkohë që, një në katër të moshuar në Tiranë përdor një medikament psikotrop (lëndë e parë për përgatitjen e barnave) pa recetë. Ajo që vihet re është se ka një rritje të përfitimeve nga rimbursimi i medikamenteve nga të moshuarit, me 8% më shumë në vitin 2013 në krahasim me vitin 2012. Kjo lidhet me plakjen e popullsisë e sidomos grupmoshat 65 vjeç e lart kanë pësuar një rritje të konsiderueshme (nga 169 mijë në 318 mijë në periudhën 1989-2011). Në terma relative, rritja e numrit të personave të moshuar është edhe më domethënëse, pasi rezulton se pjesa e popullsisë mbi 65 vjeç u rrit nga 5 në 11 për qind ndërmjet viteve 1989 dhe 2011. Sipas specialistëve të ISHP-së, kapja e hershme e sëmundjeve kronike dhe edukimi mbi parandalimin e rreziqeve në popullatat e rritura 40-60vjeç është prioritare dhe kosto-efektive, por nuk duhet harruar se kjo praktikë do të ishte shumë e dobishme edhe te personat mbi 60 vjeç apo të moshuarit në përgjithësi. Po ashtu, ata theksojnë se përveç tensionit të lartë të gjakut, sheqerit të lartë në gjak, yndyrnave të larta në gjak, etj., ka ardhur koha të depistohen edhe te të moshuarit probleme të shëndetit mendor të tilla si ankthi apo depresion. Sipas specialistëve të ISHP-së, të moshuarit që mund të vuajnë në heshtje duhet të ndihmohen si dhe të largohet stigma rreth tyre
Ekskluzive/ Sa viza aprovoi dhe refuzoi Anglia për shqiptarët janar-shtator 2023
Për të njëjtën periudhë kohore për viza familjare aplikuan 1,365 shtetas shqiptarë. Në të gjitha deklarimet publike, kryeministri Anglisë Rishi...















