Bëhet publik këndvështrimi i Lëvizjes Vetëvendosje (VV) për ndërprerjen e bisedimeve me Beogradin dhe rifillimin e një dialogu të ri direkt me serbët e Kosovës dhe me Brukselin.
Lideri i VV-së, Albin Kurti, shpalos për gazetën “Zëri” katër pikat e këtij plani dhe për secilën jep sqarime.
Pika e parë ka të bëjë me themelimin e një komisioni hetimor parlamentar, i cili për 6 muaj do të heton procesin e gjithë dialogut 3 vjeçar. E arsyet për këtë janë se nuk ka pasur transparencë gjatë tërë procesit të bisedimeve,si dhe dy rezolutat e Kuvendit të Kosovës ajo e 18 tetorit 2012 dhe 6 qershorit 2013 janë shkelur.
Kryeministri nuk iu është përgjigjur ftesave të Komisionit për Punë të Jashtme që e kam udhëhequr unë. Marrëveshja për energji dhe telekomunikacion kurrë nuk është raportuar në komision.
Thaçi për 2 vite i ka zhvilluar rreth 24 takime me ish kryeministrin e Serbisë Daçiq dhe ne nuk e dimë se çka krejt janë marrë vesh.
“Thaçi më shpesh e takonte Daçiqin sesa që vinte në Kuvend të Kosovës. Unë gjatë këtyre dy viteve nuk kam arritur ta takoj as nënën e vëllaun tim kaq shpesh”, u shpreh Kurti.
Pika e dytë – Është që marrëveshja e 19 prillit 2013 mes dy kryeministrave do të duhet të dërgohet në Komisionin e Venedikut. Arsyet për këtë janë, se kjo marrëveshje si e tillë është sraciste dhe është në shpërputhje me të drejtat e njeriut, por edhe me rregullimin juridik të Kushtetutës së Kosovës.
Aty thuhet se komandanti i policisë për veriun duhet të jetë serb.
“E ne themi që komandanti duhet të jetë profesionist, i ndershëm e jo serb apo shqiptar. Kategoria e profesionit nuk mund të jetë kategoria etnike”, tha Kurti..
Të qenit serb nuk paraqet as aspekt moral e as profesional.
Tash e kemi kremtuar 15 vjetorin e çlirimit nga Serbia dhe nuk e kuptoj se pse sërish duhet që komandanti i policisë medoemos të jetë serb?! Prandaj jam i bindur që komisioni i Venedikut do ta hedh poshtë marrëveshjen.
Pika e tretë – Është që ne nuk kemi nevojë për dialog me Serbinë por kemi nevojë për dialog me serbët e Kosovës. Dialogu me Beogradin as nuk i integroi serbët e Kosovës, as nuk e bashkoi Mitrovicën. Duhet ta transformojmë në dialog të hapur me serbët e Kosovës, duke i parë ata si qytetarë të Republikës së Kosovës, me të drejta dhe nevoja të njëjta sikur qytetarët e tjerë.
Dhe pika e katërt – Në këtë propozim është që të nisim një dialog të ri me Brukselin, për marrëdhënie kontraktuale Kosovë-BE, në mënyrë që të definojmë marrëdhëniet tona.
Dialogu me Brukselin duhet të kornizohet te departamenti për zgjerim i BE-së, ku Brukseli mund t’i parashtrojë nevojat që i sheh, që Kosova duhet plotësuar me Serbinë. Me fjalë të tjera, duhet të kthehemi tek dialogu për dialog.
Të kthehemi në vjeshtën e vitit 2010, kur Thaçi prapa dyerve të mbyllura negocionte me baroneshën Ashton, koha kur ka humbur pjesa më e madhe e betejës për Kosovën. E ne nuk duhet të vazhdojmë gjurmëve të Thaçit.
Ndryshe, ky është plani që Kurti u ka dorëzuar tre liderëve të partive tashmë në kalicion LDK-së, AAK-së dhe Nismës, nga të cilët po pret përgjigje. Nëse ata pajtohen që të zbatojnë këto pika, Kurti do të vazhdojë t’i përkrahë në qëllimin e tyre për të bërë një qeveri të re, së bashku. Nëse jo, atëherë VV do të tërhiqet nga blloku opozitarë, dhe rezultati siç thotë Kurti do të jetë, shkuarja në zgjedhje të reja.













