Eurokomisioneri Shtefan Fyle tha se statusi “kandidat” nuk do të thotë “hapje negociatash” për anëtarësim, por “vlerësim i reformave nga të dyja qeveritë”
Eurokomisioneri Shtefan Fyle tha se ka besim se Shqipëria do të vazhdojë me vullnetin politikë për të kryer reformat.
Diplomati nga Republika Çeke i bëri komentet ndërsa paraqiste përfundimet që mundësuan dhënien e statusit “kandidat” për Shqipërinë.
Megjithatë, zoti Fyle tha se një sërë sfidash janë përpara dhe se dhënia e statusit “kandidat” është një provë se zgjerimi është një proces i vazhdueshëm.
Eurokomisioneri saktësoi se statusi “kandidat” nuk do të thotë “hapje negociatash” për anëtarësim, por “vlerësim i reformave nga të dyja qeveritë”.
Dhënia e statusit “kandidat’, në këndvështrimin e Komisionerit të Zgjerimit, Fyle, është nxitje më tepër që vendi të përgatitet për fillimin e negociatave.
Sipas zotit Fyle “statusi “kandidat” për Shqipërinë është një shtysë për dialog në pesë prioritetet kyçe”.
Ka shumë punë për t’u bërë nga autoritetet vendase dhe nëse plotësohen kriteret atëherë do të hapen negociatat. Zgjerimi është një proces i brendshëm dhe kërkon hapa të shoqërisë civile. Statusi është arritje e të gjithë shqiptarëve”-tha ai.
Garanci eurokomisioneri dha se nuk ka asnjë lloj loje, por se është “e rëndësishme që vendimet e dhjetorit treguan se, cilat duhet të jenë përparësitë e vendit”:
“Nëse bota politike do të përpiqet të përfundojë pesë përparësitë kyçe, BE do të jetë aty për të ndihmuar Shqipërinë. Ne kemi nevojë të shohim rezultatet konkrete në terren, përtej deklaratave politike, në të gjitha fushat”.
Komisioneri vlerësoi veçanërisht atë që e quajti “shembulli më i mirë” për operacionin kundrë drogës në Lazarat.
Bashkë me zotin Fyle ishte edhe ministri i Jashtëm dhe zëvendëskryeministri i Greqisë, Vangjel (Evangelos) Venizellos, Presidenca e Radhës së Bashkimit Europian.













